Lideri kinez Xi Jinping siguron mandatin e tretë historik në pushtet - NACIONALE

Lideri kinez Xi Jinping siguron mandatin e tretë historik në pushtet

3 vjet më parë

nga Miranda Shala

Pas një takimi politik njëjavor që eliminoi rivalët kryesorë dhe forcoi fuqinë politike të presidentit kinez Xi Jinping, ai sot mori edhe një mandat të tretë në pushtet.

Kongresi i 20-të i Partisë, takimi më i rëndësishëm i ciklit politik pesëvjeçar të partisë komuniste kineze në pushtet, mblodhi rreth 2,400 delegatë në Pekin për të vulosur riorganizimet e mëdha dhe ndryshimet kushtetuese.

Pas mbylljes së kongresit ditën e djeshme, në një konferencë shtypi të mbajtur sot, u zbuluan edhe shtatë anëtarët e rinj të organit më të fuqishëm politik të Kinës, komitetit të përhershëm të Byrosë Politike (PSC).

"Unë u rizgjodha si sekretar i përgjithshëm i komitetit qendror të CPC," u shpreh Xi në fjalën e hapjes, përpara se të prezantonte gjashtë anëtarët e tjerë: Li Qiang, Zhao Leji, Wang Huning, Cai Qi, Ding Xuexiang dhe Li Xi.

Duke konfirmuar riemërimin e tij si sekretar i përgjithshëm i partisë për një mandat të tretë, e me mbajtjen e rolit si kryetar i komisionit ushtarak, që kontrollon Ushtrinë Çlirimtare Popullore u sinjalizua edhe një konsolidim i suksesshëm dhe dërrmues i pushtetit të Xi-së në Pekin, ndërkohë që vitin e ardhshëm pritet që të rifitojë sërish titullin e presidentit.

Ndër liderët e parë botërorë që e uruan Xi-në për mandatin, ishin diktatori i Koresë së Veriut Kim Jong Un dhe Vladimir Putin i Rusisë, me të cilin Xi në fillim të këtij viti njoftoi një partneritet të pakufishëm.

Sipas Kremlinit, Putini i është drejtuar Xi-së, duke i thënë se: “Rezultatet e Kongresit të Partisë konfirmojnë plotësisht autoritetin tuaj të lartë politik, si dhe unitetin e partisë që drejtoni”.

Ndërsa, pasi partia ka larguar nga detyra kryeministrin Li Keqiang, pritet që detyrën e tij ta marrë anëtari i dytë i rendirur pas Xi-së në parti, Li Qiang.

Lajme të ngjashme