Kina forcon dominimin e Xi-së, largon nga detyra edhe kryeministrin Keqiang - NACIONALE

Kina forcon dominimin e Xi-së, largon nga detyra edhe kryeministrin Keqiang

3 vjet më parë

nga Miranda Shala

Një ditë përpara se t’i japë një mandat të tretë pesë-vjeçar, Partia Komuniste në pushtet e Kinës ka riafirmuar dominimin e vazhdueshëm të presidentit Xi Jinping në drejtimin e vendit.

Një kongres i mbajtur i partisë e largoi nga udhëheqja e lartë në mënyrë efektive kryeministrin Li Keqiang. Li - zyrtari numër dy i vendit, është një ithtar i reformave të orientuara nga tregu, të cilat janë në kontrast me lëvizjet e Xi-së për të zgjeruar kontrollin e shtetit mbi ekonominë.

E edhe pse analistët ishin duke vëzhguar për ndonjë shenjë dobësie të pozicionit të Xi-së në këtë kongres, diçka e tillë nuk ndodhi, pasi largimi i kryeministrit Li, sinjalizoi vazhdimin e mbajtjes së pushtetit të Xi-së mbi ekonominë e dytë më të madhe në botë. Megjithatë, Li Keqiang do të qëndrojë si kryeministër për rreth gjashtë muaj të tjerë derisa të emërohet një listë e re e ministrave të qeverisë.

Takimi njëjavor i kongresit përfundoi sot, e në kushtetutën e partisë u shkruan edhe iniciativat kryesore të politikave të Xi-së mbi ekonominë dhe ushtrinë.

"Kongresi u bën thirrje të gjithë anëtarëve të partisë që të kuptojnë thellë rëndësinë vendimtare të vendosjes së pozicionit thelbësor të shokut Xi Jinping në Komitetin Qendror të partisë dhe në parti në tërësi dhe vendosjen e rolit udhëheqës të Mendimit Xi Jinping," thuhej në një rezolutë të miratuar për kushtetutën në seancën përmbyllëse të së shtunës.

"Mendimi i Xi Jinping" i referohet ideologjisë së tij, e cila ishte përfshirë në statutin e partisë në kongresin e mëparshëm të mbajtur në 2017, e duke folur në fjalimin e tij përmbyllës, Xi tha se “rishikimi i kushtetutës përcakton kërkesa të qarta për mbështetjen dhe forcimin e udhëheqjes së përgjithshme të partisë".

Në Kongresin e Partisë Komuniste që u mbajt në Sallën e Madhe të Popullit në qendër të Pekinit, morën pjesë më shumë se 2,300 delegatë që mbanin maska ​​​​kirurgjikale blu sipas politikës së rreptë të Kinës “zero-COVID”.

Bëhet e ditur se në pjesën e parë të zhvillimit të votimit, brenda sallës nuk janë lejuar të hyjnë shumica e mediave vendase, përfshirë të gjithë gazetarët e huaj.

Lajme të ngjashme