Ish-presidenti kinez nxirret jashtë nga ceremonia e Kongresit të Partisë Komuniste - NACIONALE

Ish-presidenti kinez nxirret jashtë nga ceremonia e Kongresit të Partisë Komuniste

3 vjet më parë

nga Miranda Shala

Ish-udhëheqësi kinez Hu Jintao, cili ka mbajtur presidencën midis 2003 dhe 2013, është nxjerrë jashtë ceremonisë së mbylljes të Kongresit të Partisë Komuniste, i shoqëruar nga dy persona.

79-vjeçari, ishte i ulur pranë presidentit aktual kinez Xi Jinping, ku më pas në pamje duken disa persona që i afrohen. Fillimisht Jintao duket se i thotë diçka Jinping, ndërsa menjëherë pas persona e shoqërojnë për krahu jashtë Kongresit.

Pamjet e ish-presidentit duke u larguar nga ngjarja janë duke tërhequr vëmendje globale, me njerëzit që po mundohen të kuptojnë se çfarë ka ndodhur. E megjithëse ka shumë pyetje, BBC njofton se qeveria kineze nuk ka dhënë ndonjë përgjigje lidhur me këtë rast.

Pas kongresit njëjavor, partia komuniste pritet të konfirmojë Xi-në, 69 vjeç, për një mandat të tretë historik.

Ngjarja, e cila mbahet në Pekin çdo pesë vjet, ka forcuar pozicionin e Xi-së, si udhëheqësi më i fuqishëm i Kinës që nga Mao Ce Duni.

Kujtojmë se, në fjalimin e tij të hapjes në Kongres të dielën e kaluar, Xi përshëndeti shtypjen e lëvizjes pro-demokracisë në Hong Kong si dhe ripohoi të drejtën e Kinës për të përdorur forcën për të kapur ishullin e vetëqeverisur të Tajvanit.

Xi aktualisht mban postet e sekretarit të përgjithshëm të Partisë Komuniste, presidentit dhe kreut të forcave të armatosura. Ai njihet gjithashtu si udhëheqës suprem.

Ditën e dielë, pritet që të bëhet konfirmimi zyrtar i mandatit të tij të tretë, pasi në vitin 2018 ai hoqi nga ligji kufirin presidencial që lejonte dy mandate, duke i hapur rrugën vetes për të sunduar pafundësisht.

Lajme të ngjashme