Kuvendi i Ukrainës i jep një goditje Zelenskyt, s’ia miraton të propozuarin për ministër të Energjisë
Deputetët ukrainas të martën nuk e miratuan emërimin e ministrit në largim të Mbrojtjes, Denys Shmyhal, për ministër të Energjisë, një qortim i befasishëm në kohë lufte për presidentin Volodymyr Zelensky, kur ai po përpiqet që të riformatojë sektorë kyçë në një moment kritik të konfliktit.
Shmyhal, i cili kishte shërbyer si kryeministër për pesë vjet para se të emërohej ministër i Mbrojtjes vitin e kaluar, ishte përzgjedhur nga Zelensky për ta drejtuar sektorin e energjisë që është goditur nga akuzat për korrupsion dhe sulmet ruse ndaj infrastrukturës, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Ministri i mëparshëm i Energjisë ishte shkarkuar në fundin e vitit të kaluar pas shpërthimit të një skandali të korrupsionit, ku gjithashtu përfshihej paraardhësja e tij.
Kjo pozitë ka mbetur boshe për gati dy muaj, përderisa Moska e përshkallëzoi fushatën e sulmeve ajrore masive ndaj sektorit të enerjgisë, duke lënë miliona njerëz pa rrymë dhe ngrohje në temperatura të ulëta.
Emërimi i Shmyhalit nuk i mori 226 votat e nevojshme të deputetëve, por vetëm 210. Tri partitë opozitare abstenuan.
Më shumë se 20 deputetë të partisë së Zelenskyt nuk votuan. “Kjo është një shenjë se ai po e humb kontrollin mbi Kuvendin” – tha analisti politik, Volodymyr Fesenko, duke iu referuar Zelenskyt.
Ai shtoi se mospajtimet brenda partisë së presidentit nuk janë të reja, por udhëheqësit në të kaluarën ia kishin dalë që t’i grumbullonin votat e nevojshme./Nacionale