Kryespiuni ukrainas pretendon se FSB-ja e Rusisë po e planifikon vrasjen e Prigozhinit
Kreu i inteligjencës ushtarake ukrainase, Kyrylo Budanov, ka thënë se ka marrë vesh që Shërbimi Federal i Sigurisë i Rusisë (FSB) është “ngarkuar me detyrën për ta vrarë” shefin e grupit “Wagner”, Yevgeny Prigozhin.
Në një intervistë me gazetarin Hoëard Altman për revistën “The War Zone”, zyrtari i lartë ukrainas tha: “Ne jemi të vetëdijshëm se FSB-ja është ngarkuar me detyrën për ta vrarë atë. A do të jenë të suksesshëm për ta bërë atë? Do ta shohim me kohën.”
Budanovi, i cili e udhëheq Drejtorinë për Inteligjencë të Mbrojtjes, e përshkroi rezultatin e komplotit të pretenduar të FSB-së si “pyetje të hapur të madhe”, raporton televizioni CNN.
“Pra, në çfarëdo rasti, të gjitha këto përpjekje të mundshme për vrasje nuk do të jenë të shpejta. Do t’u nevojitet ca kohë për t’i pasur qasjet e duhura dhe për ta arritur fazën, kur janë të gatshëm për të shtuar një operacion të madh, por, edhe një herë, do të doja të nënvizoja që kjo është një pyetje e hapur e madhe. A do të ishin të suksesshëm për ta plotësuar atë? A do të guxojnë që ta ekzekutojnë atë urdhër”- tha Budanovi.
Kremlini ka qëndruar i heshtur për temën e kryengritjes së mercenarëve, duke nisur një fushatë agresive, në anën tjetër, për ta rivendosur autoritetin e presidentit Vladimir Putin.
