Lavrovi thotë se Rusia gjithmonë del më e fortë nga trazirat - NACIONALE

Lavrovi thotë se Rusia gjithmonë del më e fortë nga trazirat

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Ministri i Punëve të Jashtme i Rusisë, Sergei Lavrov, tha të premten se vendi i tij gjithnjë ka dalë më i fortë dhe më i qëndrueshëm nga çfarëdo vështirësie, kur u pyet për stabilitetin e Rusisë pas kryengritjes së dështuar të mercenarëve javën e kaluar.

Duke folur në një konferencë për gazetarë, kryediplomati rus tha se reagimet nga shumë zyrtarë perëndimorë për kryengritjen e dështuar të grupit “Wagner” të Yevgeny Prigozhinit tregojnë në mënyrë të tërthortë se të njëjtit zyrtarë janë në luftë me Moskën, raporton agjencia “Reuters”.

“Nuk kemi pse të shpjegojmë asgjë ose pse t’i japim garanci askujt. Ne po veprojmë në mënyrë transparente, presidenti dhe të gjitha forcat politike në vendin tonë kanë folur për temën. Nëse ka dyshime në perëndim, ky është problem juaj”- tha ministri Lavrov.

“Rusia gjithmonë ka dalë më e qëndrueshme dhe më e fortë pas secilës vështirësi”- shtoi ai.

Sipas zyrtarit të lartë rus, vetë Moska ka dyshime për aftësitë e shumë politikanëve perëndimorë.

Lavrovi bëri thirrje për zgjerimin e listës së shteteve që janë anëtare të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për t’u dhënë më shumë përfaqësim Azisë, Afrikës dhe Amerikës Latine dhe për ta thyer atë që ai e quajti mbizotërim perëndimor në botë.

“Shumica e botës nuk dëshiron që të jetojë sipas rregullave perëndimore”- tha kryediplomati i Rusisë.

Lajme të ngjashme