Scholzi thotë se kryengritja e “Wagner”-it e ka dobësuar autoritetin e Putinit - NACIONALE

Scholzi thotë se kryengritja e “Wagner”-it e ka dobësuar autoritetin e Putinit

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, ka thënë se kryengritja e dështuar e grupit “Wagner” fundjavën e kaluar e ka dobësuar autoritetin e presidentit rus, Vladimir Putin, i cili u mundua që ta riparonte dëmin ndaj imazhit të tij përmes takimit me staf ushtarak në Kremlin dhe me një paraqitje të rrallë publike pranë qytetarëve të rëndomtë.

Duke folur në një intervistë të gjatë, me shumë tema, në televizioni ARD, kancelari gjerman tha: “Unë besoj se ai (Putini) është dobësuar, pasi kjo tregon se strukturat autokratike të pushtetit kanë të çara në to dhe ai nuk është në mënyrë aq të vendosur në shalë sa pohon gjithmonë.”

Scholz-i tha në intervistën e së mërkurës që nuk dëshironte që të bëhej pjesë e spekulimeve për atë se sa gjatë mund të mbetet Putini në pushtet, duke thënë se qëllimi i Perëndimit përmes përkrahjes së Ukrainës është që ta ndihmojë këtë shtet për ta mbrojtur veten, jo për të sjellë ndryshim të regjimit, raporton gazeta “The Guardian”.

Kancelari gjerman tha të mërkurën se kryengritja e mercenarëve ishte një luftë e brendshme ruse për pushtet dhe se Perëndimi nuk ishte i përfshirë në të, duke u ngjarë komenteve të presidentit amerikan, Joe Biden.

Ai shtoi se të shtunën bisedoi me udhëheqësit e ShBA-së, Francës, Britanisë dhe Polonisë dhe se ata ishin “pajtuar shpejt për të qëndruar të qetë”. “Ne nuk kemi të bëjmë asgjë me këtë konflikt në Rusi”- tha Scholzi, duke shtuar se shërbimet gjermane të inteligjencës nuk kishin ndonjë njohuri paraprake për rebelimin e mercenarëve.

Në po të njëjtën ditë, Putini shkoi në rajonin jugperëndimor rus të Dagestanit, buzë Liqenit të Kaspikut, rreth dy mijë kilometra nga Moska, dhe eci pranë disa qytetarëve, puthi fëmijë, bëri fotografi me ta dhe i shtrëngoi duart me disa prej tyre. Ai shkoi në qytetin Derbent me popullsi kryesisht myslimane për ta shënuar festën e Bajramit të Kurbanit e për të vizituar një kala të lashtë e një xhami historike.

Vizita e tij ishte goxha e pazakonshme, duke i marrë parasysh masat e rrepta të sigurisë që i kërkon nga stafi. Ai kishte kërkuar që anëtarët e stafit të qëndronin për dy javë në karantinë gjatë pandemisë së koronavirusit. Gjatësia e tavolinave që Putin i kishte përdorur gjatë takimeve me udhëheqës të huaj vitin e kaluar ishin parë edhe si shfaqje e fuqisë, edhe si mënyrë për ta zbatuar distancën sociale nga frika prej infektimit.

Presidenti rus ka mbajtur disa fjalime publike këtë javë në përpjekje për ta riparuar imazhin publik dhe për ta paraqitur kryengritjen e mercenarëve si moment që e ka bashkuar Rusinë.

Lajme të ngjashme