Kryeministri suedez në Ukrainë, nuk përjashton dërgimin e avionëve luftarakë - NACIONALE

Kryeministri suedez në Ukrainë, nuk përjashton dërgimin e avionëve luftarakë

3 vjet më parë

nga Miranda Shala

Kryeministri suedez Ulf Kristersson ka vizituar Kievin të mërkurën, ku në një konferencë të mbajtur bashkë me presidentin ukrainas, Volodomyr Zelensky, nuk ka përjashtuar mundësinë e dërgimit të avionëve luftarakë në Ukrainë, megjithatë ka shtuar se duhet bashkëveprim i mirë kordinuar.

“Nuk përjashtojmë asgjë momentalisht,”- ka thënë Kristersson, duke shtuar se në të njejtën kohë duhet pranuar fakti se duhet bashkëveprim ndërkombëtar për të marrë hapa të tilllë.

Më tej Kristersson është shprehur se e kupton plotësisht kërkesën e Ukrainës për aleatët “që të mos vonojnë në dërgimin e pajisjeve të mbrojtjes". Megjithatë, ai shtoi se është një “situatë shumë speciale”, pasi Suedia është në proces aplikimi për NATO bashkë me fqinjin e saj Finlandën.

“Kemi arsye të forta që të jemi shumë të kujdesshëm me mbrojtjen tonë tani. Do të bëjmë gjithçka për të mbështetur Ukrainën dhe do ta bëjmë në një mënyrë që nuk rrezikon aftësitë e Suedisë për të mbrojtur veten.”

Ndërkohë, presidenti ukrainas Volodomyr Zelensky ka falenderuar kryeministrin suedez për ndihmën në paketën e mbrojtjes.

“Së fundmi Suedia ka ndarë rreth 1 miliardë dollarë për ndihmën e mbrojtjes në Ukrainë. Faleminderit për këtë mbështetje,”- ka thënë Zelensky.

Lajme të ngjashme