Kryeministri izraelit ia uron bajramin presidentit palestinez - NACIONALE

Kryeministri izraelit ia uron bajramin presidentit palestinez

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Presidenti palestinez, Mahmoud Abbas, të premten pranoi një telefonatë nga kryeministri në detyrë i Izraelit, Yair Lapid. Kjo ishte biseda e parë në këtë formë mes Abbas-it dhe një kryeministri izraelit në vjetët e fundit.

Biseda u zhvillua si pjesë e një vargu kontaktesh mes udhëheqësve palestinezë e izraelitë para vizitës së presidentit amerikan, Joe Biden, javën e ardhshme në Izrael e në Bregun e pushtuar Perëndimor. Biseda ishte e përqendruar në uljen e tensioneve dhe bashkërendimin e masave të sigurisë para vizitës së rëndësishme.

Në një deklaratë të zyrës së kryeministrit izraelit thuhet se ai foli me Abbas-in për "vazhdimin e bashkëpunimit dhe nevojën për të siguruar qetësi". Në anën tjetër, Hussein al-Sheikh, ndihmës i lartë i Abbas-it, tha se Lapid-i e uroi Abbas-in për Bajramin e Kurbanit dhe "u diskutua për situatën e fundit shkurtazi", pa dhënë hollësi.

Të enjten, presidenti palestinez e priti në qytetin Ramallah të Bregut të pushtuar Perëndimor ministrin e Mbrojtjes të Izraelit, Benny Gantz, dhe bisedoi përmes telefonit edhe me presidentin izraelit, Isaac Herzog.

Procesi i bisedimeve të paqes është bllokuar para më shumë se një dekade. Takimet e nivelit të lartë mes udhëheqësve izraelitë e palestinezë janë të rralla dhe kryesisht përqendrohen te bashkërendimi afatshkurtër ekonomik dhe në fushën e sigurisë./Nacionale

Lajme të ngjashme