Shtrenjtimi i kurbanit, barrë për bajram në Lindjen e Mesme - NACIONALE

Shtrenjtimi i kurbanit, barrë për bajram në Lindjen e Mesme

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Festa e Bajramit do të duhej të ishte koha më e ngarkuar e vitit për shitësin e gjedheve, Mahmoud Abu Holy, në Rripin e Gazës. Por rritja e çmimeve të ushqimit ka larguar shumë njerëz që, në kohëra normale, do të blinin një dele ose një dhi për sakrificë në ditën e dalluar për myslimanët.

Reuters

Pak para festës, Abu Holy thotë se nuk mund ta përballojë uljen e çmimit të kurbaneve për shkak të rritjes së madhe të kostos së ushqimit të tyre – efekt anësor i luftës në Ukrainë, që i ka goditur tregjet globale të bujqësisë.

“Qëndrojmë këtu tërë ditën pa shitur asnjë kafshë”, tha Abu Holy, që po ka vështirësi për të gjetur blerës në tregun “Kahn Younis”, që ndodhet në pjesën jugore të Gazës.

Mohammad Issa, 24 vjeç, vendosi që të mos blinte kurban, kur mori vesh se sa kushtonte një dele. “Vitin e kaluar, bleva një kurban për 300 dollarë. Sot, dëgjova se kushton 500 ose 600 dollarë, prandaj vendosa që të mos blej”, tha ai.

Bajrami i Kurbanit, njëra nga dy festat kryesore të myslimanëve, e shënon kulmin e pelegrinazhit vjetor të haxhillëkut, kur myslimanët therin kafshë për ta shënuar gatishmërinë e profetit Ibrahim për ta sakrifikuar djalin e tij për urdhrin e Zotit. Mishi i kurbanit, zakonisht, u shpërndahet njerëzve të varfër.

Megjithatë, këtë vit, njerëzit në shumë shtete arabe thonë se rritja e çmimeve nënkupton se ata nuk mund ta zbatojnë traditën e rëndësishme, duke e pasqyruar ndikimin e luftës në Ukrainë, që e ka shtuar presionin ndaj çmimeve edhe ashtu të larta globale të ushqimit.

“Erdha që t’i shoh çmimet dhe të kuptoj nëse mund të blejmë një (kurban) ose jo, por ato janë të larta në mënyrë të pabesueshme në krahasim me vitin e kaluar”, tha Hamoud al-Asri në një treg të Sanas së Jemenit, ku arritja e armëpushimit ka sjellë qetësi nga lufta 7-vjeçare, por miliona njerëz ende ballafaqohen me urinë. “Po largohem, s’mund ta përballoj (çmimin e kurbanit), shtoi al-Asri.

Në një treg në Egjipt, shtet me popullsinë më të madhe në botën arabe, një shitës tha se çmimi i deleve është rritur për 50 për qind – 90 funte egjiptiane (4.77 dollarë) për kilogramë. “Nuk mund të gjejmë blerës. Mund ta shes kilogramin për 70 funte egjiptiane, por duhet të gjej dikë që të blejë nga unë, çfarë duhet të bëj tjetër”, tha ai.

Në Liban, ku kriza trevjeçare ekonomike ka shkaktuar shtim të varfërisë, kasapi i quajtur Makhaber Hassan tha se çmimi i deleve po rritet vazhdimisht dhe tani është rreth 7.5 milionë funte libaneze (250 dollarë).

Në Bagdad të Irakut, një klient, i prezantuar me emrin Hussein, tha se nuk mund të paguajë 500.000 dinarë irakianë – rreth 350 dollarë -, që një tregtar po ia kërkon për një dele. “E pyeta pse 500, më tha se ushqimi për kafshët është i shtrenjtë”, tha irakiani.

Sidoqoftë, Ali Farhan, 23 vjeç, tha se e ka shtyrë blerjen e makinës për larjen e rrobave për të blerë një dele.

“E kalova tërë mëngjesin duke kërkuar çmim të përballueshëm për të blerë një dele që ta sakrifikoj për nënën time të vdekur dhe, më në fund, gjeta një dele të vogël, thatanike, që më kushtoi 350.000 dinarë e dikur kushtonte rreth 200.000”, tha i riu Ali.

Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli

Lajme të ngjashme