Kryeministri britanik i kundërpërgjigjet Putinit pas kërcënimit për konflikt - NACIONALE

Kryeministri britanik i kundërpërgjigjet Putinit pas kërcënimit për konflikt

1 vit më parë

nga Nasuf Abdyli

Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, i është kundërpërgjigjur presidentit rus, Vladimir Putin, duke thënë se kreu i Kremlinit e ka nisur luftën në Ukrainë dhe ai mund t’i japë fund konfliktit në çfarëdo kohe, pasi Putini paralajmëroi se çfarëdo përdorimi i raketave britanike me rreze të gjatë ndaj territorit rus do ta vendoste NATO-n në luftë me Moskën.

Udhëheqësi i Qeverisë së Britanisë foli gjatë fluturimit drejt Uashingtonit për t’u takuar me presidentin amerikan, Joe Biden, përderisa po synonte që të justifikonte një vendim të Perëndimit, që ishte marrë prapa dyerve të mbyllura, me të cilin do t’i lejohet Ukrainës që të sulmojë brenda Rusisë me raketa të prodhuara pjesërisht nga Britania, “Storm Shadow”, raporton gazeta “The Guardian”.

Duke iu kundërpërgjigjur drejtpërdrejt kërcënimeve të presidentit rus, Starmeri gazetarëve iu tha: “Rusia e nisi këtë konflikt. Rusia ilegalisht e pushtoi Ukrainën. Rusia mund ta përfundojë këtë konflikt menjëherë. Ukraina e ka të drejtën për vetëmbrojtje.”

Ai shtoi se Britania kishte ofruar “trajnime dhe kapacitete” – referencë për armët – për ta ndihmuar Ukrainën që ta sprapsë pushtimin rus dhe tha se po e vizitonte presidentin amerikan pjesërisht për shkak se “qartazi ka diskutime të mëtejme për t’u zhvilluar për natyrën e atij kapaciteti”.

Një ditë më parë, gazeta “The Guardian” zbuloi se ShBA-ja dhe Britania ishin pajtuar, në bashkëpunim me aleatë të tjerë, që ta lejojnë Ukrainën për të sulmuar caqe ushtarake brenda Rusisë me raketa të tipit “Storm Shadow”, të cilat kanë rreze prej të paktën 300 kilometrash. Kjo ka qenë kërkesë e vjetër e Kievit.

Të enjten, Putini tha se çfarëdo lëvizjeje e Perëndimit për ta lejuar Ukrainën që të përdorë armë me rreze të tillë kundër caqeve brenda Rusisë do të nënkuptonte që NATO-ja do të ishte “në luftë” me Moskën – eskalim dramatik i retorikës së tij për luftën që nisi me pushtimin e Ukrainës nga forcat ruse në shkurt të vitit 2022.

“Kjo në mënyrë domethënëse do ta ndryshonte vetë natyrën e konfliktit. Kjo do të thoshte se vendet e NATO-s, ShBA-ja, vendet evropiane, janë në luftë me Rusinë” – i tha Putini një reporteri të televizionit shtetëror rus, duke shtuar se, si rezultat, Rusia do të ndërmerrte “vendime të duhura duke u mbështetur në kërcënimet me të cilat ne do të ballafaqohemi”.

Në anën tjetër, kryeministri britanik tha se nuk do të komentojë drejtpërdrejt për raketat “Storm Shadow”, por shtoi se donte të sigurohej që “të gjitha vendimet të jenë marrë brenda kontekstit strategjik” përmes diskutimit të çështjeve me presidentin amerikan në Shtëpinë e Bardhë të premten pasdite.

“Ka gjasa për zhvillime vërtet të rëndësishme në disa javë dhe muaj të ardhshëm, edhe në Ukrainë, edhe në Lindje të Mesme, prandaj duhet të merren një numër i vendimeve taktike” – shtoi ai.

Sekretari i Jashtëm i Britanisë, David Lammy, u duk sikur shkoi një hap më tej të enjten në mbrëmje, duke thënë se vendi i tij dhe ShBA-ja duhet t’ia japin Ukrainës armët që i nevojiten për ta mposhtur Rusinë.

“Kjo është periudhë vendimtare në luftë, sepse jeni duke i vendosur gjërat për ta ndalur Rusinë që të mos e shfrytëzojë përparësinë gjatë dimrit” – tha kryediplomati britanik gjatë vizitës në Kiev./Nacionale

Lajme të ngjashme