Kryediplomati iranian thotë se është bërë progres në bisedimet bërthamore me ShBA-në - NACIONALE

Kryediplomati iranian thotë se është bërë progres në bisedimet bërthamore me ShBA-në

6 muaj më parë

nga NACIONALE

Irani dhe Shtetet e Bashkuara të martën arritën një mirëkuptim rreth “parimeve udhëzuese” në bisedimet me të cilat synohet zgjidhja e mosmarrëveshjes së gjatë bërthamore mes dy vendeve, por kjo nuk do të thotë se marrëveshja është afër, tha kryediplomati iranian, Abbas Araqchi.

“Janë paraqitur ide të ndryshme, këto ide janë diskutuar seriozisht. Përfundimisht ne ia kemi dalë që të arrijmë një marrëveshje të përgjithshme për disa parime udhëzuese” – tha ministri i Jashtëm para gazetarëve iranianë pas përmbylljes së bisedimeve në Gjenevë, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Me të filluar bisedimet të martën, mediat shtetërore iraniane thanë se Irani do të mbyllte përkohësisht një pjesë të Ngushticës së Hormuzit, rrugë jetike globale për dërgesat e naftës, për shkak të “masave paraprake të sigurisë” gjatë kohës që Rojat Revolucionare të Iranit do të kryenin ushtrime ushtarake atje.

Teherani në të kaluarën ka kërcënuar me mbylljen e kësaj rruge detare për lundrimin komercial në rast se do të sulmohej, veprim që do të bllokonte një të pestën e dërgesave globale të naftës dhe do të shkaktonte rritje të çmimit të karburanteve.

Duke folur në një konferencë për çarmatosje në Gjenevë pas bisedimeve, Araqchi tha se “një dritare e re e mundësisë” është hapur dhe se ai shpreson se diskutimet do të çojnë te një zgjidhje “e qëndrueshme” që e garanton njohjen e plotë të të drejtave legjitime të Iranit.

Më herët, presidenti amerikan, Donald Trump, tha se vetë ai do të përfshihej “tërthorazi” në bisedimet e Gjenevës dhe se ai beson se Teherani dëshiron që të bëjë një marrëveshje.

“Nuk mendoj se ata i duan pasojat e mosarritjes së një marrëveshjeje. Do të mund të kishim pasur një marrëveshje në vend të dërgimit të [aeroplanëve luftarakë] B-2 për ta mënjanuar potencialin e tyre bërthamor. Dhe u desh që t’i dërgonim B-2-shat” – shtoi presidenti amerikan.

Duke iu kundërpërgjigjur komenteve të Trumpit se një “ndryshim i regjimit” në Iran mund të jetë zgjidhja më e mirë, lideri suprem i vendit, Ayatollah Ali Khamenei, paralajmëroi se çfarëdo përpjekjeje amerikane për ta rrëzuar pushtetin e tij do të dështojë.

“Presidenti amerikan thotë se ushtria e tyre është më e forta në botë, por ushtria më e fortë në botë nganjëherë mund të goditet aq fort shuplakë, saqë nuk mund të ngrihet” – tha ai, sipas mediave iraniane./Nacionale

Lajme të ngjashme