Kriza globale e ushqimit po thellohet, shtetet e pasura po “rrudhen” për ndihma
Është ekuacion i thjeshtë por brutal: numri i njerëzve që po mbeten të uritur ose po kanë vështirësi për përreth botës është duke u rritur, ndërsa po zvogëlohet sasia e parave që vendet më të pasura në botë po i dhurojnë për t’i ndihmuar ata.
Rezultati: Kombet e Bashkuara thonë se, në rastin më të mirë, do të jetë në gjendje që të grumbullojë mjete të mjaftueshme financiare për të ndihmuar rreth 60 për qind të 307 milionë njerëzve që parashikon se do të kenë nevojë për ndihma humanitare vitin që po fillon. Kjo nënkupton se të paktën 117 milionë njerëz nuk do të marrin ushqim ose lloje të tjera të asistencës më 2025, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
OKB-ja gjithashtu do ta përmbyllë vitin 2024 duke grumbulluar rreth 46 për qind të 49,6 miliardë dollarët që I kishte kërkuar për ndihma humanitare në mbarë globin, sipas të dhënave të organizatës. Është viti i dytë rresht që Kombet e Bashkuara kanë siguruar më pak se gjysmën e fondeve që i kanë kërkuar. Kjo mungesë i ka detyruar agjencitë humanitare që të marrin vendime shumë të dhimbshme, si zvogëlimi i racioneve për njerëzit e uritur dhe ulja e numrit të njerëzve që kanë të drejtë për të marrë ndihma.

Pasojat po ndihen në vende si Siria, ku Programi Botëror i Ushqimit (WFP), që është shpërndarësi kryesor i ushqimit i OKB-së, dikur ushqente gjashtë milionë njerëz. Duke i vëzhguar projeksionet e veta për donacione ndihmash më herët këtë vit, WFP-ja e zvogëloi numrin e njerëzve që shpresonte se do t’i ndihmonte atje në rreth një milion, tha Rania Dagash-Kamara, asistente e drejtorit ekzekutiv të organizatës për bashkëpunime dhe mobilizim të burimeve.
Dagash-Kamara e vizitoi stafin e WFP-së në Siri në mars. “Fjalët e tyre ishin: Jemi në pikën ku po marrim nga të uriturit për t’i ushqyer ata që po vdesin urie” – tha ajo në një intervistë.
Zyrtarët e OKB-së shohin pak arsye për optimizëm në kohën e konflikteve të përhapura, trazirave politike e motit ekstrem. Të gjithë këta faktorë e nxitin përhapjen e urisë. “Jemi detyruar që të kufizohemi tek ata që kanë nevoja më të skajshme” – tha Tom Fletcher, nënsekretar i përgjithshëm i OKB-së për çështje humanitare dhe koordinator për lehtësim emergjent.
Trysnitë financiare dhe politikat e brendshme po i riformësojnë vendimet e disa vendeve të pasura për atë se ku dhe sa të dhurojnë. Njëra nga dhurueset më të mëdha – Gjermania – tashmë ka hequr 500 milionë dollarë fonde nga viti 2023 deri më 2024 si pjesë e kursimit të përgjithshëm të mjeteve. Kabineti qeveritar ka rekomanduar një zvogëlim tjetër prej një miliard dollarësh për ndihma humanitare më 2025. Përbërja e re e Kuvendit do të vendosë për planin e shpenzimeve për vitin e ardhshëm pas zgjedhjeve të shkurtit.

Organizatat humanitare gjithashtu po presin për të parë se çfarë do të propozojë presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump, pasi ta fillojë mandatin e dytë në krye të Shtëpisë së Bardhë në janar.
Këshilltarët e Trumpit nuk kanë treguar se si do t’u qaset ai ndihmave humanitare, por në mandatin e parë është përpjekur që t’i zvogëlojë fondet e ShBA-së që ishin ndarë për këtë qëllim. Ai gjithashtu ka emëruar këshilltarë që thonë se ka hapësirë për kursime sa u përket ndihmave që jepen jashtë vendit.
Shtetet e Bashkuara e kanë rolin udhëheqës në parandalimin dhe luftimin e vdekjes nga uria në mbarë botën. Ato kanë ofruar ndihma humanitare me vlerë të 64,5 miliardë dollarëve gjatë pesë viteve të fundit. Kjo shumë përbën të paktën 38 për qind të sasisë së përgjithshme të kontributeve të tilla që janë regjistruar nga OKB-ja.
Ndarja e pasurisë
Shumica e fondeve humanitare vijnë nga vetëm tri dhurues të mëdhenj: Shtetet e Bashkuara, Gjermania dhe Komisioni Evropian. Këta dhuruan 58 për qind të 170 miliardë dollarëve të regjistruar nga OKB-ja si reagim ndaj krizave nga viti 2020 deri më 2024.
Tri fuqi të tjera – Kina, Rusia dhe India – së bashku kontribuuan me më pak se 1 për qind të fondeve humanitare të regjistruara nga OKB-ja për periudhën e njëjtë, sipas një analize të agjencisë “Reuters” të të dhënave të Kombeve të Bashkuara për kontribute.
Paaftësia për ta mbushur boshllëkun është njëra nga arsyet kryesore pse sistemi global për trajtimin e urisë dhe parandalimin e vdekjes nga uria është nën trysni të jashtëzakonshme. Mungesa e fondeve të duhura – bashkë me pengesat logjistike të vlerësimit të nevojave dhe shpërndarjes së ushqimit në zona të konfliktit, ku ekzistojnë shumë prej krizave më të rënda të urisë – po i rëndon përpjekjet që t’u dërgohen ndihma të mjaftueshme atyre që janë në rrezik nga vdekja prej urisë. Gati 282 milionë njerëz në 59 shtete dhe territore ishin duke u ballafaquar me nivele të larta të pasigurisë akute ushqimore më 2023.
Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli