Kritikoi Putinin e luftën në Ukrainë, dënohet me 25 vjet burg opozitari rus Vladimir Kara-Murza - NACIONALE

Kritikoi Putinin e luftën në Ukrainë, dënohet me 25 vjet burg opozitari rus Vladimir Kara-Murza

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Aktivisti opozitar Vladimir Kara-Murza është dënuar me 25 vjet burg në Rusi për akuzat e lidhura me kritikat e tij ndaj luftës në Ukrainë.

BBC raporton se ai është shpallur fajtor për tradhti, përhapje të informacionit "të rremë" për ushtrinë ruse dhe lidhje me një "organizatë të padëshiruar".

Ish-gazetari dhe politikani ruso-britanik është i fundit nga disa kundërshtarë të Putinit që janë arrestuar ose janë detyruar të largohen nga Rusia.

Bëhet e ditur se Kara-Murza i ka mohuar të gjitha akuzat.

41-vjeçari dihet se ka kaluar vite në kundërshtim të presidentit rus Vladimir Putin dhe krahas luftës në Ukrainë, ai ka qenë gjithashtu kritik ndaj goditjes së qeverisë ndaj disidencës.

Në një deklaratë të dhënë jo më larg se javën e kaluar, ai tha se: “Unë pajtohem për çdo fjalë që kam thënë... Jo vetëm që nuk pendohem për asgjë, por jam krenar për këtë. Unë e di se do të vijë dita kur errësira që ka përfshirë vendin tonë do të pastrohet,"- ka thënë me tej ai, duke shtuar se “shoqëria jonë do të hapë sytë dhe do të dridhet kur të kuptojë se çfarë krimesh janë bërë në emër të saj”.

Dënimi 25-vjeçar i zotit Kara-Murza, i cili është kritikuar gjerësisht, ishte maksimumi i kërkuar nga prokurorët dhe është dënimi më i gjatë që një figurë opozitare ka marrë që nga fillimi i luftës në Ukrainë.

Raportohet se janë dashur vetëm pak minuta që gjyqtari të vendosë për çështjen e tij, ndërsa gjykatësi ka thënë se Kara-Murza do të vuante kohën e tij në një "koloni korrektuese të regjimit të rreptë" dhe se ai do të gjobitej me 400,000 rubla (4,900 dollarë).

Dënimi i ashpër është një shenjë se në Rusinë e sotme autoritetet janë të vendosura jo vetëm të mbyllin gojën e kritikëve, por edhe të neutralizojnë çdo gjë ose cilindo që ata besojnë se përfaqëson një kërcënim për sistemin politik.

Lajme të ngjashme