Krimet e motivuara politikisht arrijnë nivel rekord në Gjermani - NACIONALE

Krimet e motivuara politikisht arrijnë nivel rekord në Gjermani

6 muaj më parë

nga NACIONALE

Një varg i zgjedhjeve me garë të ashpër, lufta në Gaza dhe thellimi i polarizimit politik ndikuan që numri i krimeve me motive politike në Gjermani të arrinte nivel rekord vitin e kaluar. Rritje posaçërisht e madhe u shënua te rastet e dhunës së lidhur me të djathtën ekstreme.

Numri i shkeljeve të tilla të regjistruara nga policia u rrit për 40,2 për qind dhe shkoi në 84 mijë e 172 më 2024, sipas një raporti të publikuar të martën nga Ministria e Brendshme. Ky numër paraqet rekord që nga fillimi i grumbullimit të të dhënave më 2001.

Numri i krimeve të dhunshme me motiv politik u rrit për 15 për qind dhe shkoi në 4 mijë e 107 raste, niveli më i lartë që nga viti 2016, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

“Vitin e kaluar pamë një zgjerim masiv të krimit të motivuar politikisht që vjen nga e djathta” – tha në një konferencë për gazetarë ministri i Punëve të Brendshme, Alexander Dobrindt, ku edhe i paraqiti të dhënat.

“Dyzet e pesë për qind e viktimave të dhunës së motivuar politikisht u lënduan nga autorë të së djathtës ekstreme” – shtoi ai. Ministri i përmendi si shembuj sulmet ndaj paradave të komunitetit LGBT nga grupe të organizuara të të rinjve të së djathtës ekstreme verën e kaluar.

Në fusha të tjera, policia regjistroi shifra rekorde të sulmeve ndaj emigrantëve, sidomos pas disa sulmeve me vetura e therje në ngjarje publike nga emigrantët, disa prej tyre azilkërkues.

Njësoj si shtetet e tjera perëndimore, Gjermania është prekur nga tensionet që rezultojnë nga rritja e së djathtës ekstreme popullsitë, pasiguria ekonomike dhe shtimi i zemërimit, sidomos në mesin e komuniteteve të emigrantëve, ndaj mbështetjes së Qeverisë për Izraelin në luftën kundër Hamasit në Rripin e Gazës.

Partia e së djathtës ekstreme, Alternativa për Gjermaninë (AfD), i shënoi rezultatet e veta më të mira ndonjëherë në pesë palë zgjedhje – tri palë zgjedhje rajonale, një palë zgjedhje kombëtare dhe një palë zgjedhje evropiane – vitin e kaluar, duke bërë thirrje për kontrolle më të rrepta ndaj emigrimit dhe madje edhe për largim të vendit nga Bashkimi Evropian./Nacionale

Lajme të ngjashme