“Krejt bërllok”: Sekretari i Mbrojtjes kundër kritikave se ShBA-ja ka marrë pozicion pro Rusisë - NACIONALE

“Krejt bërllok”: Sekretari i Mbrojtjes kundër kritikave se ShBA-ja ka marrë pozicion pro Rusisë

1 vit më parë

nga NACIONALE

Sekretari i Mbrojtjes i Shteteve të Bashkuara, Pete Hegseth, të enjten i cilësoi “bërllok” akuzat se Uashingtoni ka marrë qëndrim pro Rusisë, duke thënë se presidenti Donald Trump është duke e ndjekur përfundimin paqësor të pushtimit rus të Ukrainës.

Trumpi i ka vendosur trysni Ukrainës, duke ia pezulluar të gjitha ndihmat ushtarake e të dhënat e inteligjencës, përderisa administrata e tij po bën përpjekje për një zgjidhje të negociuar për konfliktin më të madh në Evropë që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Presidenti amerikan dhe këshilltarët e tij, përfshirë Hegseth-in, gjithashtu kanë refuzuar që ta paraqesin Rusinë si agresore.

“Mediat janë të interesuara për narrativa. Presidenti ynë është i interesuar për paqe. Prandaj, ne do të karakterizohemi në një mënyrë ose tjetrën: “O, qëndrimi juaj është pro Rusisë ose pro... Është krejt bërllok” – tha sekretari i Mbrojtjes para gazetarëve.

“Presidenti u zgjodh për t’i sjellë paqe këtij konflikti dhe ai është duke punuar me të dyja palët në një mënyrë që vetëm presidenti Trump mundet... për t’i ulur ata në tavolinë që t’u jepet fund vrasjeve” – shtoi ai.

Hegseth-i foli krahas sekretarit të Mbrojtjes të Britanisë së Madhe, John Healey, i cili të enjten synoi të diskutonte një plan të paqes për Ukrainën gjatë takimit në Pentagon.

Në fundjavë, ministri i Punëve të Jashtme i Rusisë, Sergei Lavrov, e çmoi synimin “me të menduar logjik” të Trumpit për t’i dhënë fund luftës, ndërsa i akuzoi fuqitë evropiane që janë rreshtuar prapa Ukrainës se po duan ta zgjasin konfliktin.

Trumpi dhe homologu i tij ukrainas, Volodymyr Zelensky, patën një përplasje verbale para kamerave më 28 shkurt në Shtëpinë e Bardhë, por nga ajo ditë të dyja palët e kanë vazhduar punën për një marrëveshje rreth ndarjes së mineraleve të Ukrainës./Nacionale

Lajme të ngjashme