Koreja Veriore: Ushtari amerikan erdhi te ne për shkak të keqtrajtimit çnjerëzor
Koreja Veriore ka thënë se ushtari amerikan, Travis King, hyri në territorin e saj muajin e kaluar për shkak të “keqtrajtimit çnjerëzor dhe diskriminimit racor” në ushtri.
Ushtari 23-vjeçar e kaloi kufirin mes Koresë Jugore dhe Koresë Veriore më 18 korrik, përderisa ishte pjesë e një shëtitjeje të organizuar, raporton televizioni BBC.
Kingu ka pranuar se e ka kaluar kufirin ilegalisht dhe ka dëshiruar strehim në Kore Veriore, raportuan mediat shtetërore.
Shtetet e Bashkuara kanë thënë se nuk mund t’i vërtetojnë këto pretendime, të cilat janë komentet e para publike të Penjanit për rastin e ushtarit amerikan.
Ka pasur shqetësime për mirëqenien e ushtarit, nga i cili nuk është dëgjuar ndonjë fjalë që nga kalimi i kufirit.
Ndërkohë ka pasur bisedime të vazhdueshme mes autoriteteve të Koresë Veriore dhe Komandës së OKB-së për këtë çështje.
Duke reaguar për raportimin e Koresë Veriore të mërkurën, një zyrtar i Pentagonit tha se prioritet i këtij institucioni është që ushtari të sillet në shtëpi në mënyrë të sigurt “përmes të gjitha kanaleve në dispozicion”.
Koreja Veriore nuk ka dhënë informacione se si planifikon që ta trajtojë ushtarin, por ka thënë se ai ka pranuar që ka hyrë ilegalisht në vend.
Agjencia shtetërore e lajmeve, KCNA, nuk tregoi nëse ushtari ballafaqohet me ndjekje penale ose ndëshkim. Ai mund të trajtohet si viktimë ose azilkërkues ose si kriminel, thonë analistët.
