Koreja Veriore thotë se do të dislokojë armë të reja në kufirin me Jugun
Koreja Veriore tha të enjten se do të dislokojë pajisje të reja ushtarake përgjatë vijës ushtarake të demarkacionit që e ndan nga Koreja Jugore, pasi Seuli u tërhoq pjesërisht nga një marrëveshje e vitit 2018 për uljen e tensioneve kufitare, raportuan mediat shtetërore.
Pjongiangu mori masa, pasi Seuli u zotua për shtimin e inteligjencës dhe vëzhgimit përgjatë zonës së demilitarizuar si kundërpërgjigje ndaj lëshimit të satelitit të parë spiun nga Koreja Veriore të martën, për të cilin analistët thonë se mund t’i japë këtij shteti të dhëna për t’i shënjestruar më mirë forcat e kundërshtarëve, përcjell televizioni CNN.
Lëvizja reaguese nga Seuli përfaqëson tërheqje të pjesshme nga Marrëveshja Ushtarake Ndër-koreane, e cila ishte nënshkruar në vitin 2018 si pjesë e përpjekjeve me Shtetet e Bashkuara për ta frenuar rrezikun e një lufte në Gadishullin Korean.
Sidoqoftë, viteve të fundit është venitur vullneti i mirë pas kësaj marrëveshjeje. Udhëheqësi i Koresë Veriore, Kim Jon Un, i cili nuk i mori koncesionet që i donte nga ShBA-ja dhe Koreja Jugore gjatë bisedimeve, e ka çuar përpara programin e raketave balistike, duke u zotuar se vendin do ta bëjë me një sistem parandalues bërthamor si ai që e ka Uashingtoni.
Si kundërpërgjigje ndaj avancimeve të Koresë Veriore, ShBA-ja dhe Koreja Jugore – bashkë me Japoninë – e kanë shtuar bashkëpunimin e tyre ushtarak përmes ushtrimeve dhe dislokimeve që Pjongiangu i sheh si kërcënim.
Koreja Veriore tha se është “e qartë” se kundër kujt do të shënjestrohen dhe do të përdoren pajisjet për ofensivë ushtarake.
Të enjten, Ministria e Mbrojtjes e Koresë Veriore dhe se ushtria e saj “kurrë nuk do të jetë e lidhur” me marrëveshjen ushtarake, duke u zotuar për dislokimin e “forcave të armatosura më të fuqishme dhe pajisjeve ushtarake të llojit të ri në rajon përgjatë Vijës Ushtarake të Demarkimit”, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve, KCNA.
