Koreja Veriore kërcënon me hakmarrje bërthamore ndaj shfaqjes së armatimit amerikan - NACIONALE

Koreja Veriore kërcënon me hakmarrje bërthamore ndaj shfaqjes së armatimit amerikan

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Koreja Veriore tha të enjten se dërgimi i aeroplanmbajtëseve, aeroplanëve bombardues e nëndetëseve me raketa nga Shtetet e Bashkuara në Korenë Jugore do të mund t’i plotësonte kriteret për përdorimin e armëve bërthamore nga ana e saj, citohet të ketë thënë ministri i Mbrojtjes, Kang Sun Nam.

Në deklaratën e ministrit korean, Shtetet e Bashkuara dhe Koreja Jugore akuzohen për eskalimin e tensioneve në rajon dhe kritikohet takimi i tyre në Grupin Konsultues Bërthamor, raporton agjencia “Reuters”.

“Dukshmëria gjithnjë në rritje e dislokimit të nëndetëses bërthamore strategjike dhe aseteve të tjera strategjike mund të hyjë në kushtet e përdorimit të armëve bërthamore, të specifikuara në ligjin e Republikës Demokratike Popullore të Koresë”- thuhet në deklaratë.

Komentet e ministrit korean i drejtohen nëndetëses amerikane me raketa balistike e klasës “Ohio”, e cila arriti këtë javë në qytetin bregdetar të Koresë Jugore, Busan.

“Faza e një përleshjeje ushtarake në Gadishullin e Koresë është shpërfaqur si një realitet i rrezikshëm”- raportoi agjencia shtetërore e lajmeve e Koresë Veriore, KCNA.

Në anën tjetër, në një deklaratë të Ministrisë së Mbrojtjes të Koresë Jugore thuhet: “Koreja Veriore nuk do të marrë koncesione nga aleanca Kore Jugore – ShBA për zhvillimin bërthamor të saj dhe për kërcënimet që vetëm do të çojnë te përkeqësimi i izolimit dhe i vështirësive.”

Raportimi i mediave shtetërore koreane erdhi pas kalimit të kufirit nga një ushtar amerikan dhe hyrjes së tij në Kore Veriore të martën, në kohën e tensioneve të larta në rajon. Autoritetet e Koresë Veriore ende nuk e kanë komentuar këtë rast.

Lajme të ngjashme