Koreja Veriore raporton përhapje të një sëmundjeje tjetër ngjitëse pas Covid-it: Kim Jong Uni i dha ilaçet e veta
Koreja Veriore të enjten raportoi për përhapjen e një sëmundjeje tjetër ngjitëse pas përhapjes së Covid-19, duke thënë se udhëheqësi i shtetit, Kim Jong Un, i ka dhuruar ilaçet e veta private për ata që janë prekur nga sëmundja e re.
Është e paqartë se sa serioze është epidemia e re, por disa vëzhgues të jashtëm thonë se, me gjasë, Koreja Veriore synon që ta promovojë imazhin e Kimit si udhëheqës që përkujdeset për jetën e publikut, pasi ka nevojë për përkrahje popullore për t’i tejkaluar vështirësitë e lidhura me pandeminë.
Të mërkurën, Kimi i ofroi ilaçet rezervë të familjes së vet për ata që janë prekur nga një “epidemi akute e zorrëve” në qytetin jugperëndimor, Haeju, raportoi agjencia zyrtare e lajmeve, KCNA. Kjo agjenci nuk dha hollësi se për çfarë epidemie saktësisht bëhet fjalë dhe për numrin e njerëzve të infektuar.
Disa vëzhgues thonë se “epidemia e zorrëve” në Korenë Veriore u referohet sëmundjeve ngjitëse si tifoja, dizenteria ose kolera, sëmundje intestinale që shkaktohen nga mikrobet përmes ushqimit dhe ujit të kontaminuar ose kontaktit me jashtëqitjen e personave të infektuar.
Sëmundje të tilla shfaqen rregullisht në Korenë Veriore, ku mungojnë qendrat për trajtimin e mirë të ujit dhe ku infrastruktura e kujdesit publik shëndetësor është në gjendje të rëndë që nga vitet e nëntëdhjeta.
Muajin e kaluar, Koreja Veriore raportoi për rritje të numrit të pacientëve me temperaturë dhe autoritetet pranuan se ka përhapje të koronavirusit./Nacionale