Korea e Jugut nënshkruan marrëveshje 2.25 miliardë dollarëshe me kompaninë bërthamore ruse - NACIONALE

Korea e Jugut nënshkruan marrëveshje 2.25 miliardë dollarëshe me kompaninë bërthamore ruse

4 vjet më parë

nga Miranda Shala

Zyrtarët e vendit kanë bërë të ditur se, Korea e Jugut ka nënshkruar një kontratë 2.25 miliardë dollarëshe me një kompani shtetërore ruse të energjisë bërthamore për të siguruar komponentë dhe për të ndërtuar objekte turbinash për centralin e parë bërthamor të Egjiptit.

Sipas Associated Press, koreanët e Jugut e kanë pritur këtë marrëveshje si një triumf për industrinë e tyre të energjisë bërthamore, megjithëse nuk duket si një vendim i mirë për shkak të Amerikës e cila po shtyn një fushatë presioni për ta izoluar Rusinë, shkak i luftës së saj në Ukrainë.

Megjithatë, zyrtarët e Koresë së Jugut thanë se ishin konsultuar paraprakisht me Shtetet e Bashkuara për këtë marrëveshje, duke shtuar se teknologjitë që do të furnizohen nga Seuli për projektin nuk do të bien ndesh me sanksionet ndërkombëtare kundër Rusisë.

Choi Sang-mok, sekretari i lartë i Yoon për çështjet ekonomike, tha se Koreja e Jugut paraprakisht i ka dhënë një shpjegim Shteteve të Bashkuara në lidhje me planet e saj për të marrë pjesë në projektin e quajtur Dabba. Bëhet e ditur se si pjesë e sanksioneve të udhëhequra nga ShBA-ja kundër Moskës, Korea e Jugut ka përfunduar transaksionet me bankën qendrore të Rusisë dhe fondet sovrane të pasurisë dhe ka ndaluar eksportet e materialeve strategjike në Rusi.

Zyra e Yoon poashtu shprehu shpresën se pjesëmarrja e Koresë së Jugut në projektin Dabaa do ta ndihmonte vendin të fitonte një terren në projektet e ardhshme bërthamore në të gjithë Afrikën dhe gjithashtu të përmirësonte shanset e tij për të eksportuar në vende të tilla si Republika Çeke, Polonia dhe Arabia Saudite.

Ndërkohë, Go Myong-hyun, një analist i lartë në Institutin Asan për Studime Politike të Seulit, tha se marrëveshja nuk do të ishte e mundur pa një miratim eksporti nga Shtetet e Bashkuara.

Ai shtoi se, sanksionet aktuale kundër Moskës gjithashtu nuk përfshijnë kufizime specifike në lidhje me energjinë bërthamore dhe administrata e Biden nuk do të kishte asnjë interes për të ndërprerë një projekt vendimtar për Egjiptin, të cilin e sheh si një partner kyç në rajon.

Lajme të ngjashme