Rritja e jugonostalgjisë - “Të gjithë e donin njëri-tjetrin” - NACIONALE

Rritja e jugonostalgjisë - “Të gjithë e donin njëri-tjetrin”

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Në një ditë rishtazi në Beograd, përderisa dielli po perëndonte, vagonët u ndalën dhe u nisën afër Muzeut të Jugosllavisë, bllok madhështor i mesit të shekullit të kaluar në kryeqytetin serb. U shfaq një rrjedhë e qëndrueshme e njerëzve, disa duke mbajtur lule dhe pak prej tyre duke e valëvitur flamurin e vjetër të vendit. Ata kishin ardhur për ta vizituar mauzoleun ku ndodhet varri i Josip Broz Titos, themelues i Jugosllavisë socialiste.

Jessica Bateman, The Guardian

Shumë nga vizitorët ishin rritur në sistemin e vjetër dhe kishin ardhur për ta shënuar ditëlindjen e diktatorit, që ishte festë e rëndësishme publike para shpërbërjes së Jugosllavisë. Disa ishin pjesëtarë të partive të së majtës ekstreme dhe mbanin veshje e pankarta pa shije.

Megjithatë, aty ishin edhe disa njerëz më të rinj. Në shkallët pranë një ekspozite të veçantë kushtuar viteve të Titos përmes posterave, punimeve të artit, artefakteve dhe kujtimeve të incizuara të “njerëzve të rëndomtë”, e takova 18-vjeçarin Millosh Tomçiq, që kishte kapele e shall të “pionierëve”, lëvizje socialiste e të rinjve jugosllavë.

“Desha të shoh një fotografi të asaj kohe”, tha ai, kur e pyeta për arsyen e ardhjes. “Ishte kohë e mrekullueshme. Të gjithë e donin njëri-tjetrin”, shtoi ai. A e cilëson ai veten serb apo jugosllav? “Jugosllav”, u përgjigj ai, pa ngurrim. “Nëna ime është serbe, babai malazias, gjyshja kroate. Në të vërtetë, familja ime është nga e mbarë Jugosllavia”, tha i riu.

Republika Federale Socialiste e Jugosllavisë, e përbërë nga gjashtë republika – Serbia, Kroacia, Bosnja e Hercegovina, Sllovenia, Mali i Zi dhe Maqedonia si dhe rajoni i atëhershëm autonom i Kosovës – u themelua nga Titoja më 1945.

Shteti i Titos e kishte për qëllim bashkimin e grupeve të ndryshme etnike e fetare të rajonit nën sloganin “unitet dhe vëllazëri”. Rritja e nacionalizmit pas vdekjes së tij më 1980 çoi në copëtimin e Jugosllavisë më 1992 dhe në luftërat e përgjakshme jugosllave të viteve të nëntëdhjeta.

Një narracion i zakonshëm gjatë atyre viteve ishte se Titoja, për gati gjysmë shekulli, kishte detyruar popuj të ndryshëm që të jetonin së bashku kundër dëshirave të tyre. Sidoqoftë, 30 vite më pas, shumë njerëz ende kanë dashuri të thellë për shtetin që nuk ekziston më dhe u vjen keq për shpërbërjen e tij.

Në Serbi, 81 për qind thonë se besojnë që ndarja ishte e keqe për vendin e tyre. Në Bosnjë, që gjithmonë ishte vendi më multikulturor në mesin e republikave, 77 për qind e njerëzve e ndajnë të njëjtin mendim. Edhe në Slloveni, që ishte vendi i parë ish-jugosllav që u bë pjesë e BE-së dhe që vlerësohet gjerësisht si më e suksesshmja, 45 për qind e njerëzve ende thonë se ndarja ishte e dëmshme. Jo për t’u befasuar, vetëm 10 për qind të njerëzve në Kosovë, që nuk kishte pavarësi të plotë në Jugosllavi, u vjen keq për ndarjen.

Simpatia për sistemin e vjetër shpesh quhet “jugonostalgji”. Megjithatë, Larisa Kurtoviq, antropologe politike nga Sarajeva, që e studion identitetin post-jugosllav në Bosnjë, është e matyr për këtë term. “Nostalgjia nënkupton një lloj melankolie ose malli”, thotë ajo. Natyrisht se kjo ekziston. Shumë restorante dhe bujtina përreth rajonit, si kafeneja e famshme “Tito” në Sarajevë, janë të dekoruara me shenja të asaj periudhe. Sidoqoftë, Kurtoviqi tha se ekziston edhe një lëvizje e njerëzve më të rinj, që e shikojnë atë periudhë në mënyrë më kritike, duke i vlerësuar gjërat pozitive dhe negative të saj.

“Ka shumë vlerësim për periudhën socialiste dhe kjo gjë lidhet me rritjen ekonomike e përmirësimet e mëdha në standardin e jetesës”, tha ajo, duke shtuar se projektit jugosllav i kanë dështuar premtimet, të zbehura në krahasim me nacionalizmin dhe dhunën që pasuan. Shumica e shteteve ish-jugosllave kanë pësuar rënie të madhe ekonomike që nga luftërat dhe ende vuajnë nga niveli i lartë i “ikjes së trurit” – personave të kualifikuar – jashtë vendit.

Bosnja dhe Serbia në veçanti janë ballafaquar me konflikte politike, ndërsa pronat dikur utopike e brutaliste dhe hekurudhat e ndërtuara nga Jugosllavia kanë mbetur duke u ndryshkur. Ndonëse Kroacia dhe Sllovenia kanë gjetur stabilitet relativ si anëtare të BE-së, aplikimet e vendeve të tjera kanë ngecur dhe negociatat nuk kanë sjellë ndonjë rezultat, duke lënë shumë njerëz me dyshime se do t’i bashkohen ndonjëherë bllokut./Nacionale

Lajme të ngjashme