Komentet e Trumpit për Grenlandën e Kanadanë, vjen reagimi i Rusisë - NACIONALE

Komentet e Trumpit për Grenlandën e Kanadanë, vjen reagimi i Rusisë

1 vit më parë

nga Nasuf Abdyli

Kremlini tha të enjten se Rusia ka interesa kombëtare strategjike në Arktik, kur iu kërkua që t’i komentonte deklaratat e presidentit të zgjedhur amerikan, Donald Trump, rreth marrjes së kontrollit të Grenlandës dhe Kanalit të Panamasë nga ShBA-ja, inkorporimin e Kanadasë si pjesë të vendit të tij.

Trumpi, që do të vijë në pushtet më 20 janar, ka refuzuar që ta përjashtojë përdorimin e veprimeve ushtarake ose ekonomike për t’i marrë nën kontroll Grenlandën dhe Kanalin e Panamasë, pjesë e një agjende më të gjerë ekspansioniste që ai e ka promovuar që nga fitorja në zgjedhje më 5 nëntor, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Ai gjithashtu e ka përmendur idenë që Kanadaja të shndërrohet në një shtet të ShBA-së dhe ka premtuar se Gjirit të Meksikës do t’i bëjë emrin “Gjiri i Amerikës”.

Kur u pyet për komentet e Trumpit rreth Grenlandës dhe Kanadasë, Kremlini tha se Rusia, që e ka vijën më të gjatë bregdetare në Arktik, është duke e përcjellë për së afërmi “zhvillimin dramatik” të situatës”.

“Arktiku është një zonë e interesave tona kombëtare, interesave tona strategjike. Ne jemi të interesuar në mbajtjen e një atmosfere të paqes dhe stabilitetit në zonën e Arktikut” – tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.

“Ne jemi duke e shikuar zhvillimin mjaft dramatik të situatës shumë për së afërmi, por deri më tani, faleminderit Zotit, në nivelin e deklaratave” – shtoi ai.

Peskovi tha më tej se përpjekjet e Shteteve të Bashkuara për ta marrë Grenlandën, që datojnë nga shekulli XIX, janë çështje e ShBA-së dhe Danimarkës, por theksoi se Evropa po reagon me shumë kujdes ndaj deklaratave të Trumpit.

“Evropa reagon në mënyrë shumë të ndrojtur dhe natyrisht se është e frikësuar që të reagojë ndaj fjalëve të Trumpit, prandaj Evropa reagon me shumë kujdes, modesti, qetas, gati duke pëshpëritur” – shtoi zëdhënësi i Kremlinit.

Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, është shprehur i befasuar me komentet e Trumpit për Grenlandën dhe Kanadanë, duke thënë se partnerët evropianë pajtohen që paprekshmëria e kufijve është parim themelor i së drejtës ndërkombëtare.

Kur u pyet për komentet e Trumpit rreth Kanalit të Panamasë, të cilin Shtetet e Bashkuara e kanë ndërtuar dhe e kishin në pronësi para se t’ia dorëzonin Panamasë më 1999, Kremlini tha se i ka dëgjuar komentet, por se u përket ShBA-së e Panamasë që t’i zgjidhin ato.

Ministri i Jashtëm i Panamasë, Javier Martinez-Acha, para gazetarëve të martën tha: “Duart e vetme që e kontrollojnë kanalin janë panamase dhe kështu do të vazhdojë të jetë.”/Nacionale

Lajme të ngjashme