Ukraina rimori 50 kilometra katrorë territor nga forcat ruse në mars, thotë Syrskyi - NACIONALE

Ukraina rimori 50 kilometra katrorë territor nga forcat ruse në mars, thotë Syrskyi

4 muaj më parë

nga NACIONALE

Ukraina rimori nën kontroll gati 50 kilometra katrorë të territorit të saj nga forcat ruse muajin e kaluar, tha të mërkurën komandanti i ushtrisë ukrainase, Oleksandr Syrskyi, duke e vazhduar avancimin nga fillimi i vitit.

Ai shtoi se, me ndryshimin e kushteve të motit, forcat ruse i kanë shtuar operacionet e ofensivës dhe po i kryejnë ato përgjatë pjesës më të madhe të vijës së frontit, e gjatë 1.200 kilometra, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Syrskyi tha se zona rreth qytetit lindor Pokrovsk, të cilin Rusia ka qenë duke u përpjekur për ta kapur që nga mesi i vitit 2024, ishte në mesin e zonave me luftimet më intensive në mars.

Ai gjithashtu i veçoi vendbanimet Oleksandrivka, Kostiantynivka dhe Lyman si pikat “më të nxehta” të përleshjeve gjatë muajit të kaluar.

Sipas analistëve ushtarakë, kundërsulmet ukrainase në pjesën juglindore po ndihmojnë në pengimin e përpjekjeve ruse përreth Pokrovskit dhe në pengimin e ofensivës pranverore të forcave ruse në përgjithësi.

Syrskyi tha javën e kaluar se Ukraina kishte rimarrë nën kontroll 480 kilometra katrorë territor nga fundi i janarit. Presidenti Volodymyr Zelensky më herët këtë muaj e përshkroi situatën në vijën e frontit si më të mirën për vendin e tij që nga mesi i vitit të kaluar.

Për t’i zvogëluar kapacitetet sulmuese të Rusisë, forcat ukrainase kanë mbajtur ritëm të lartë të sulmeve ndaj objekteve ushtarake, industrialo-mbrojtëse dhe objekteve të tjera në Rusi, tha komandant Syrskyi.

Sipas tij, forcat ukrainase në mars goditën 76 caqe të tilla, përfshirë 15 objekte të industrisë për rafinimin e naftës./Nacionale

Lajme të ngjashme