Komandanti i policisë izraelite u bën thirrje pronarëve që t’i mbajnë armët me vete
Komisionari i Policisë së Izraelit, Kobi Shabtai, u ka bërë thirrje pronarëve që kanë armë me leje t’i mbajnë ato me vete, pasi dy gra izraelite u vranë e një tjetër u plagos rëndë në një sulm në Bregun Perëndimor.
“Ky është një sulm vrasës që na sjell ndër mend se sa i lidhur është rreziku nga aktiviteti armiqësor”- tha Shabtai.
Ai i komentoi edhe përleshjet e fundit në xhaminë “Al-Aqsa” në Jerusalem, duke e theksuar rolin e forcave të sigurisë për ta garantuar lirinë e adhurimit, kur muaji i Ramazanit ka rënë në të njëjtën kohë me Pashkët e hebrenjve.
“Motivi për ta penguar paqen është rritur ditëve të fundit dhe është rezultat i nxitjes së paepur”- shtoi komandanti i policisë, raporton gazeta “Times of Israel”.
“Ne duhet të vazhdojmë me mençuri dhe aktivitet të shënjestruar kundër kujtdo që e pengon rendin dhe, në anën tjetër, të vazhdojmë që ta lejojmë lirinë e adhurimit për këdo dhe t’i ruajmë kanalet e bisedës dhe dialogut”- tha më tej Shabtai.
Mjekët izraelitë kanë thënë se dy gra janë vrarë dhe një tjetër është plagosur seriozisht nga një sulm i dyshimtë palestinezë me armë zjarri në pjesën veriore të Bregut të pushtuar Perëndimor.
Incidenti i ri ndodhi pas sulmeve ajrore të Izraelit në Liban dhe në Gaza si hakmarrje për hedhjen e raketave një ditë më parë.
