Komandantët i thonë Putinit se forcat ruse i kanë kapur Pokrovsk-in dhe Vovchansk-un
Komandantët ushtarakë rusë i thanë presidentit Vladimir Putin të dielën në mbrëmje se forcat ruse i kishin kapur qytezat ukrainase të vijës së frontit, Pokrovsk dhe Vovchansk, tha të hënën zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.
Zyrtarët ukrainas nuk kanë pranuar publikisht se ndonjëra nga këto qyteza ka rënë në duart e rusëve. Ushtria ukrainase raportoi të hënën për 43 sulme ruse në sektorin përreth Pokrovskit, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Peskovi tha në një video-incizim se komandanti i Shtabit të Përgjithshëm, Valery Gerasimov, raportoi para Putinit gjatë një vizite në një pikë të komandës ushtarake për kapjen e Pokrovskit, të cilin rusët e quajnë Krasnoarmeysk.
Si cak kyç i avancimit të ngadalshëm të forcave ruse nëpër rajonin e Donetskut, Pokrovski ka qenë nën sulm me muaj të tërë nga to, transmeton gazeta "Nacionale".
“Gjenerali i ushtrisë Gerasimov i raportoi komandantit suprem për çlirimin e qyteteve të Pokrovskit dhe Vovchansk-ut në rajonin e Kharkivit, si dhe për rezultatet e veprimeve të tjera të ofensivës së trupave në sektorë të tjerë” – tha Peskovi.
Vovchansk-u, i cili ndodhet afër kufirit me Rusinë në rajonin Kharkiv në verilindje të Ukrainës, ka qenë për një kohë të gjatë në qendër të luftimeve të ashpra.
Peskovi tha se një komandant tjetër, Valery Solodchuk, i tha Putinit se forcat ruse ishin të angazhuara në operacione të pastrimit kundër forcave ukrainase përreth Pokrovskit si dhe në qytezën afër tij, Myurnohrad.
Një komandant tjetër, Andrei Ivanev, i raportoi Putinit për avancimet ruse më në jug, në rajonin Zaporizhia, si dhe për një operacion të cilin ai e përshkroi si fazë fillestare të kapjes së qytetit Huliaipole.