Koalicioni i udhëhequr nga ShBA-ja thotë se ka kapur një udhëheqës të lartë të ISIS-it në Siri
Koalicioni ushtarak i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara tha se forcat e tij kanë kapur një udhëheqës të lartë të ISIS-it gjatë një operacioni ushtarak në pjesën veriore të Sirisë.
Në një deklaratë, koalicioni tha se udhëheqësi i kapur ishte prodhues me përvojë i bombave dhe lehtësues i operacioneve, duke e përshkruar atë si njërin nga udhëheqësit e lartë të degës siriane të ISIS-it.
Sidoqoftë, në deklaratë nuk u publikua emri i personit të kapur dhe nuk u tregua vendi se ku është zhvilluar operacioni. Thuhet se operacioni ishte i suksesshëm dhe se gjatë tij nuk është lënduar ndonjë civil ose ndonjë pjesëtar i forcave të koalicionit.
Vëzhguesi Sirian për të Drejtat e Njeriut, organizatë me bazë në Britani të Madhe, tha se operacioni filloi me lëshimin e dy helikopterëve afër zonës së vënë në shënjestër në fshatin al-Humaira, rreth katër kilometra nga kufiri me Turqinë.
Kjo organizatë raportoi për përleshje mes forcave të koalicionit dhe personave të armatosur, të fshehur në shtëpitë e fshatit në veri të Alepos, kur ata po ndiqeshin nga forcat e koalicionit.
Forcat e mbështetura nga Shtetet e bashkuara e shpallën fitoren kundër ISIS-it në mars të vitit 2019 pas marrjes së pjesës së fundit të territorit që kontrollohej nga ky grup në Siri. Megjithatë, ISIS-i vazhdon që të operojë dhe të kryejë sulme vdekjeprurëse në Irak dhe Siri dhe ka filiale të ndryshme në disa shtete.
Koalicioni ka kryer bastisje në të kaluarën për t’i kapur udhëheqësit e ISIS-it. Në shkurt, udhëheqësi i grupit, Abu Ibrahim al-Hashimi al-Qurayshi, e hodhi veten në erë bashkë me familjen e vet, kur forcat amerikane e zbuluan vendin ku ishte duke qëndruar dhe iu afruan për ta kapur./Nacionale