Kirby: Bideni ka disa pyetje të vështira për Netanyahun gjatë vizitës në Izrael - NACIONALE

Kirby: Bideni ka disa pyetje të vështira për Netanyahun gjatë vizitës në Izrael

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, ka thënë se presidenti i ShBA-së, Joe Biden, do t’u bëjë disa pyetje të vështira udhëheqësve izraelitë gjatë vizitës në Izrael.

Vizita e presidentit amerikan në Lindje të Mesme është trazuar nga një sulm në një spital në Gaza të martën, ku raportohet për qindra palestinezë të vrarë.

Bideni do të udhëtojë drejt izraelit për t’u takuar me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, dhe për ta shfaqur përkrahjen e ShBA-së për këtë shtet pas sulmit të Hamasit në disa fshatra në jug të Izraelit e në baza ushtarake më 7 tetor, ku u vranë qindra njerëz, raporton agjencia “Reuters”.

Pas takimeve në Izrael, Bideni kishte planifikuar që të udhëtonte në Jordani për t’u takuar me udhëheqës arabë, por kjo vizitë u anulua pas sulmit në spital, për të cilin zyrtarët palestinezë e kanë fajësuar Izraelin, ndërsa Izraeli e ka fajësuar grupin Xhihadi Islamik.

“Ai do të bëjë disa pyetje të vështira, do t’i pyes ata si mik, si mik i vërtetë i Izraelit, por do t’ua bëjë disa pyetje”- tha Kirby, duke iu referuar takimeve të Bidenit me udhëheqës izraelitë.

Kirby refuzoi që ta qartësonte natyrën e pyetjeve që Bideni synon t’ua shtrojë izraelitëve, por vetëm tha se ato kanë të bëjnë me atë se “cilat janë planet e tyre tutje”.

Bideni u nis më herët të martën nga Uashingtoni për ta filluar atë që pritet të jetë mision i ndërlikuar diplomatik, që për synime i ka shfaqjen e përkrahjes për aleatin e vjetër, Izraelin, qetësimin e rajonit dhe mbështetjen e përpjekjeve për ndihma humanitare për Gazën.

Nuk është e qartë se çfarë do të arrijë Bideni pas sulmit në spital, raportimeve kundërthënëse për përgjegjësinë për këtë rast dhe pas anulimit të samitit në Jordani.

“Ky lloj i ngjarjes së turbullt, por të tmerrshme e bën diplomacinë më të vështirë dhe i shton rreziqet për eskalim. Qëllimi i vizitës së Bidenit ishte që të nënvizohej se ShBA-ja e kishte nën kontroll situatën. Një incident tragjik si ky tregon se sa e vështirë është që të mbahet lufta e kontrolluar”- tha Richard Gowan, drejtor i Grupit Ndërkombëtar të Krizave, që është pjesë e OKB-së.

Lajme të ngjashme