Shenjë e përkrahjes së fuqishme: Bideni do ta vizitojë Izraelin të mërkurën - NACIONALE

Shenjë e përkrahjes së fuqishme: Bideni do ta vizitojë Izraelin të mërkurën

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, do ta vizitojë Izraelin të mërkurën. Kjo vizitë shihet si shenjë e përkrahjes së konsiderueshme për shtetin që para disa ditëve u sulmua nga Hamasi.

Sekretari i Shtetit i ShBA-së, Antony Blinken, i përfundoi të martën herët në Tel Aviv bisedimet me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu dhe njoftoi se Bideni do ta vizitojë Izraelin, raporton gazeta “The Guardian”.

“Presidenti do të dëgjojë nga Izraeli se çfarë i nevojitet për ta mbrojtur popullin e tij, përderisa ne vazhdojmë të punojmë me Kongresin për t’i plotësuar ato nevoja”- tha para gazetarëve kryediplomati amerikan.

Sipas tij, Bideni do të takohet me Netanyahun, duke e ripohuar përkushtimin e Uashingtonit për sigurinë e Izraelit dhe do të njoftohet me situatën e përgjithshme rreth qëllimeve dhe strategjisë së luftës.

“Presidenti do të dëgjojë nga Izraeli se si ky shtet do t’i kryejë operacionet e tij në një mënyrë që i minimizon viktimat dhe që e mundësoj rrjedhjen e asistencës humanitare te civilët në Gaza në atë mënyrë që nga kjo të mos përfitojë Hamasi”- shtoi Blinkeni.

Ai gjithashtu tha se ishte pajtuar me Netanyahun për të zhvilluar një plan që ndihmat humanitare t’u dërgohen civilëve në Gaza. Sidoqoftë, zyrtari i lartë amerikan nuk dha hollësi rreth këtij plani.

Zyrtarët amerikanë thanë se një bashkërendues i ri i ShBA-së për ndihma humanitare, David Satterfield, do të punojë me Izraelin për të zhvilluar plane më konkrete.

Lajme të ngjashme