Kina thërret në takim diplomatët evropianë për deklaratën rreth Tajvanit
Kina thotë se i ka thirrur në takim diplomatët evropian në këtë shtet për të protestuar kundër deklaratave të lëshuara nga vendet e Grupit G7 dhe Bashkimi Evropian, me të cilat u kritikuan ushtrimet ushtarake të Kinës përreth Tajvanit.
Ministria e Jashtme e Kinës tha të premten se zëvendësministri, Deng Li, bëri “përfaqësime solemne” për ato që i quajti “ndërhyrje të papërmbajtura në çështjet e brendshme të Kinës”.
Të premten në mëngjes, Kina dërgoi anije ushtarake dhe aeroplanë luftarakë matanë vijës së mesit të Ngushticës së Tajvanit, tha Ministria e Mbrojtjes e Tajvanit.
Pesë nga raketat e hedhura nga Kina që nga fillimi i ushtrimeve ushtarake të nisura të enjten, ranë në Zonën Ekonomike Ekskluzive të Japonisë, afër ishullit Hateruma, larg katër ishujve kryesorë, tha ministri i Mbrojtjes i Japonisë, Nubuo Kishi. Ai tha se Japonia ka protestuar kundër lëshimit të raketave para Kinës duke e cilësuar këtë veprim “kërcënim serioz ndaj sigurisë kombëtare të Japonisë dhe sigurisë së popullit japonez”.
Kryeministri japonez, Fumio Kishida, tha të premten se ushtrimet ushtarake të Kinës paraqesin një problem të rëndë që i rrezikon paqen dhe sigurinë rajonale.
Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, tha në Tokio se Kina nuk mund t’ua ndalojë zyrtarëve amerikanë vizitat në Tajvan. Duke folur pas mëngjesit me Pelosin dhe delegacionin e saj, Kishada tha se lëshimi i raketave duhet të ndalet menjëherë.
Ndërkohë zëvendësministri kinez tha se Kina “do ta parandalojë ndarjen e vendit me vendosmërinë më të fuqishme, duke i përdorur të gjitha mjetet dhe me çfarëdo kostoje”.
Ministria e Jashtme e Kinës tha se takimi u mbajt të enjten në mbrëmje, por nuk dha informata se përfaqësuesit e cilave shtete morën pjesë.
Më herët, Kina e ftoi në takim ambasadorin amerikan, Nicholas Burns, për t’ia paraqitur protestën kundër vizitës së Pelosit. Zyrtarja e lartë u largua nga Tajvani të mërkurën, pas takimit me presidenten Tsai Ing-wen. Ajo shkoi në Kore Jugore dhe më pas në Japoni. Në të dyja këto shtete ka baza ushtarake amerikane dhe do të mund të përfshiheshin në një konflikt ku do të ishte edhe Tajvani./Nacionale