'Kina po mendon ta furnizojë Rusinë me drone dhe municion' - NACIONALE

'Kina po mendon ta furnizojë Rusinë me drone dhe municion'

3 vjet më parë

nga Miranda Shala

Tre burime të njohura me Inteligjencën e ShBA-së, kanë thënë se qeveria kineze është duke menduar t’i sigurojë Rusisë drone dhe municion për përdorim në luftën në Ukrainë.

Sipas burimeve, nuk duket se Pekini ka marrë ndonjë vendim përfundimtar, megjithatë ështëë bërë e ditur se Rusia dhe Kina janë duke negociuar për çmimin dhe qëllimin e pajisjeve.

Më tej sipas CNN, burimet kanë thënë se që nga pushtimi i Ukrainës, Rusia ka kërkuar vazhdimisht drone dhe municion nga Kina, ndërsa udhëheqja kineze ka debatuar në mënyrë aktive gjatë disa muajve të fundit nëse do të dërgonte apo jo ndihmën vdekjeprurëse.

Zyrtarët e inteligjencës amerikane kanë mbledhur informacione javët e fundit, që sugjerojnë se Kina tani po përkulet drejt sigurimit të pajisjeve.

Kujtojmë se vetëm një javë më parë, ShBA dhe aleatët e saj paralajmëruan publikisht për një mbështetje të mundshme ushtarake të Kinës ndaj Rusisë.

Zyrtarët amerikanë nuk e kanë përshkruar në detaje se çfarë informacionesh ka parë ShBA duke sugjeruar ndryshimin e fundit në sjelljen e Kinës, por zyrtarët e lartë kanë qenë të shqetësuar mjaftueshëm sa për të ndarë informacione me aleatët gjatë javës së shkuar.

CNN bën të ditur se lidhur me këtë çështje, nuk kanë pranuar të flasin as nga Këshilli i Sigurisë Kombëtare dhe Departamenti i Shtetit, ndërsa kërkesë për koment u është dërguar edhe ambasadave kineze dhe ruse në Uashington.

Në lidhje me shitjen e mundshme të armëve në Rusi, të premten është pyetur edhe zëdhënësi i ministrisë së Jashtme kineze, Wang Wenbin, i cili në një konferencë të përditshme tha se "Kina ka marrë gjithmonë një qasje të kujdesshme dhe të përgjegjshme ndaj eksporteve ushtarake dhe nuk siguron ndonjë shitje të armëve në zonat e konflikteve ose luftarakëve."

Lajme të ngjashme