Kina nis modifikimin e motit, krijon re në qiell për të sjellë më shumë reshje - NACIONALE

Kina nis modifikimin e motit, krijon re në qiell për të sjellë më shumë reshje

4 vjet më parë

nga Miranda Shala

Avionët kinezë kanë nisur të hedhin shufra joduri të argjendit për të sjellë më shumë reshje mbi lumin e rëndësishëm Yangtze, i cili është tharë në disa pjesë si shkak i thatësirës së madhe në vend.

Sipas CNN, disa rajone në Yangtze kanë nisur programe të modifikimit të motit, pasi ministria e Burimeve Ujore tha në një njoftim se thatësira në të gjithë pellgun e lumit Yangtze "po ndikonte negativisht në sigurimin e ujit të pijshëm për njerëzit dhe bagëtitë, si dhe në rritjen e të korrave".

Të mërkurën, provinca Hubei e Kinës qendrore u bë e fundit që njoftoi se do të "mbillte" re në qiell, duke përdorur shufra të jodur argjendit për të nxitur më shumë reshje.

Departamenti i Menaxhimit të Emergjencave Provinciale të Hubeit, ka bërë të ditur se të paktën 4.2 milionë njerëz në vend janë prekur nga një thatësirë ​​e madhe, me më shumë se 150,000 njerëz atje që kanë probleme me qasje në ujë të pijshëm.

Yangtze është vetëm një nga shumë lumenjtë dhe liqenet në të gjithë hemisferën veriore që po thahen dhe po zvogëlohen mes nxehtësisë së pamëshirshme dhe reshjeve të pakta, duke përfshirë Liqenin Mead në ShBA dhe lumin Rhine në Gjermani.

E për t’u përballur me pasojat e nxehtësisë, Kina ka nisur të shpërndajë edhe fonde për të mbjellat dhe blegtorinë.

Nxehtësia gjithashtu ka detyruar mbylljen e të gjitha fabrikave për gjashtë ditë këtë javë në mënyrë që të lehtësojë mungesën e energjisë.

Vala më e gjatë e të nxehtit në histori

Sipas Administratës Meteorologjike, Kina ka lëshuar ​paralajmërimin më të lartë të alarmit të kuq të nxehtësisë për të paktën 138 qytete dhe qarqe në të gjithë vendin.

Vala e të nxehtit në Kinë është duke zgjatur tash 64 ditë, duke e bërë atë më të gjatën në më shumë se gjashtë dekada, ndërkohë që është paralajmëruar për përkeqësim të motit edhe në ditët në vazhdim.

Temperaturat e vazhdueshme të larta parashikohen të vazhdojnë në pjesë të mëdha në Kinën qendrore deri më 26 gusht.

Lajme të ngjashme