Kina miraton vaksinën e parë në botë me thithje kundër Covid
Kina është bërë vendi i parë në botë që ka ndezur dritën jeshile për një vaksinë me thithje kundër Covid-19, duke hapur rrugë për përdorim të produktit pa gjilpërë.
Në një deklaratë të dhënë, prodhuesi i vaksinave, CanSino Biologics, tha se rregullatori kinez i barnave ka miratuar dozën me thithje për përdorim urgjent si një vaksinë përforcuese.
Produkti, i njohur si Convidecia Air, jep një dozë vaksine përmes një fryrje ajri nga një nebulizator që më pas thithet nga goja. Vaksina e injektuar e CanSino Convidecia Covid-19 është tashmë në përdorim në Kinë dhe është miratuar në një pjesë të vogël të vendeve të tjera.
Sipas një baze të dhënash të mbajtura nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), produkti i ri i CanSino është një nga dy vaksinat "me thithje" që kanë arritur zhvillimin e fazës klinike, pasi një numër kompanish në mbarë botën janë duke hulumtuar manyra innovative për të ofruar mbrojtje nga Covid-19 përmes hundës dhe gojës.
Vaksina e re me thithje vjen ndërsa shumë qytete kineze janë duke zbatuar bllokime në shkallë të gjerë dhe testime masive.
Vendi vazhdon t'i përmbahet një politike të rreptë zero-Covid, edhe pse pjesa tjetër e botës veçse ka mësuar të jetojë me virusin.
Sipas CNN, më shumë se 70 qytete kineze janë vendosur në bllokim të plotë ose të pjesshëm që nga fundi i gushtit, me rreth 300 milionë njerëz të prekur.
Ndërkohë, variantet e reja të koronavirusit kanë ndikuar në mbrojtjen e ofruar nga vaksinat e gjeneratës së parë në mbarë botën, duke përfshirë vaksinat e prodhuara në Kinë që ofrojnë mbrojtje më pak të fuqishme të antitrupave krahasuar me vaksinat mRNA të zhvilluara në Perëndim.
E brenda Kinës janë duke vazhduar fushatat përforcuese të vaksinave dhe zhvillimi i produkteve të gjeneratës së ardhshme.

