Përveç njerëzve, Kina nis të testojë edhe peshqit e gaforret për koronavirus - NACIONALE

Përveç njerëzve, Kina nis të testojë edhe peshqit e gaforret për koronavirus

4 vjet më parë

nga Miranda Shala

Pas zbulimit të rreth 40 rasteve të virusit në qytetin bregdetar Xiamen këtë javë, Kina ka urdhëruar më shumë se pesë milionë njerëz t’i nënshtrohen testimit të Covid-19, por ata nuk janë të vetmit.

Sipas BBC-së, një njoftim zyrtar ka bërë të ditur se testimit masiv për koronavirus do t’i bashkohen edhe disa lloje të kafshëve detare.

Në javët e fundit, komiteti i qarkut të Kontrollit të Pandemisë Detare të Xiamen lëshoi ​​një njoftim duke thënë se kur peshkatarët të kthehen në portet e tyre "ata duhet të testohen bashkë me llojet e kafshëve detare të kapura”.

E në mes të këtij shpërthimi të fundit, pamjet video që tregojnë punonjësit mjekësorë duke u bërë teste PCR peshqve të gjallë dhe gaforreve janë shfaqur në shumë media sociale.

Ndërsa kjo mund të duket e pazakontë, kjo nuk është hera e parë që peshqit e gjallë testohen për Covid-19.

Edhe në muajin mars, në një shpërthim të virusit në Shangai, vendi gjithashtu kishte testuar peshqit.

Provinca jugore kineze e Hainan, një rajon bregdetar si Xiamen, ka regjistruar më shumë se 10,000 raste të Covid-19 që nga fillimi i gushtit dhe autoritetet kanë thënë se besojnë se ky shpërthim ka të ngjarë të jetë i lidhur me komunitetin e peshkimit.

Mediat kineze kanë shprehur prej kohësh shqetësime se jeta e detit mund të ketë lidhje me koronavirusin. Pasi, përhapja e parë ndonjëherë e Covid-19 ishte e lidhur me një treg kafshësh të gjalla dhe ushqim deti në qytetin qendror kinez të Wuhan.

Megjithatë, peshqit nuk janë të vetmit që i janë nënshtruar testimit të Covid-19 gjatë përpjekjes së Kinës drejt fshirjes së virusit gjatë dy viteve të fundit.

Në maj, media zyrtare qarkulloi pamjet e një hipopotami që po testohej në parkun e kafshëve të egra në Huzhou, Zhejiang lindor, duke thënë se ishte "e nevojshme" që krijesa të testohej dy herë në javë.

Në media, gjithashtu janë shfaqur video që tregojnë qentë, macet, pulat, madje edhe pandat duke marrë teste PCR.

Arsyeja e cituar gjerësisht nga mediat kryesore për këtë testim është për të "garantuar sigurinë e kafshëve dhe të turistëve”.

Lajme të ngjashme