Studim: Infektimi me koronavirus e rrit rrezikun për diagnostikim me diabet
Sipas një studimi të gjerë në Britani të Madhe, personat e infektuar me koronavirus kanë rrezik më të madh që të diagnostikohen me diabet dhe probleme kardiovaskulare disa javë pas infektimit.
Rreziku nga problemet në zemër dhe në qarkullimin e gjakut, si ritmi i çrregulluar i zemrës dhe mpiksja e gjakut në mushkëri, është gati gjashtë herë më i lartë te pacientët me Covid-19 se te personat e painfektuar të moshës dhe gjinisë së njëjtë dhe 80 për qind më i lartë për diabet gjatë një muaji pas infektimit, zbuluan shkencëtarët.
Hulumtuesit mblodhën të dhëna shëndetësore nga më shumë se 400.000 pacientë me Covid-19 në Britani dhe nga i njëjti numër i personave të painfektuar. Të dhënat u kontrolluan për diagnozat e reja me sëmundje kardiovaskulare ose diabet deri në 12 muaj. Pacienti i fundit u përcoll deri në janar.
Sipas analizës, rreziku i shtuar për probleme kardiovaskulare ra në nivelin normal shtatë javë pas testimit pozitiv për Covid-19, por për diabet, u nevojitën gati gjashtë muaj që shkalla më e lartë e diagnostikimeve të reja të kthehej në nivelin bazë, shkruan “The Guardian”.
Dr. Emma Rezel-Potts, epidemiologe në studimin e Kolegjit të Mbretit në Londër, tha: “Kjo ka të bëjmë me vetëdijesimin e mjekëve për rrezikun e rritur të mundshëm për pacientët e tyre dhe sidomos me atë se si ata mund ta ulin rrezikun për diabet në tre muajt e parë pas infektimit përmes një diete të përmirësuar dhe bërjes së ushtrimeve.”
Përderisa Covid-i mund t’u shkaktojë dëm të drejtpërdrejt organeve dhe sistemit të qarkullimit të gjakut, Rezel-Potts thekson se rezultatet e studimit mund të shpjegohen me shumë faktorë. Për shembull, pacientët me Covid-19 në studim kishin më shumë gjasë që të ishin me mbipeshë dhe me më shumë probleme të tjera shëndetësore se grupi i të painfektuarve, duke i ekspozuar ata ndaj problemeve të tjera. Disa pacientë mund të kenë pasur diabet të padiagnostikuar ose probleme me zemrën, që kanë dalë në dritë vetëm pas infektimit me koronavirus.
Ndonëse arsyet janë të paqarta, shkencëtarët mendojnë se mjekët duhet të jenë vigjilentë për diabetin dhe sëmundjet kardiovaskulare, kur pacientët infektohen me koronavirus, dhe t’u kujtojnë atyre se ndryshimet e thjeshta në stilin e jetesës mund të ndihmojnë për ta pakësuar rrezikun nga sëmurja e mëtejme. Studimi është publikuar në revistën “Plos Medicine”.
Dr. Faye Riley nga qendra e diabetit në Britani tha se ka gjithnjë më shumë dëshmi se Covid-i mund të jetë duke shkaktuar raste të reja të diabetit./Nacionale