Kina izolon qytetin me 320.000 banorë për një rast me Covid-19
Qindra mijëra njerëz u izoluan në një qytet kinez të martën pas shënimit të vetëm një rasti me Covid-19. Autoritetet kineze po e vazhdojnë zbatimin e strategjisë së rreptë të masave në luftën kundër virusit.
Pas raportimit të një rasti me Covid-19, autoritetet në qytetin Wugang të provincës Henan njoftuan të hënën se do të zbatojnë për tri ditë “kontroll të mbyllur” si reagim për “nevojat për parandalimin e sëmundjes”, thuhet në një njoftim zyrtar.
Asnjëri nga 320.000 banorët e qytetit nuk kanë të drejtë që të dalin nga shtëpitë dhe banesat deri të enjten në mesditë, thuhet në njoftim, duke shtuar se nevojat themelore do të plotësohen nga autoritetet lokale.
Banorët nuk kanë të drejtë që t’i përdorin veturat pa leje dhe duhet të marrin autorizim zyrtar për të udhëtuar nën vëzhgim, nëse kanë ndonjë rast urgjent.
Sipas një banke japoneze, rreth 250 milionë njerëz në Kinë janë nën masa për kontrollimin e virusit, më shumë se dyfish se numri i javës së kaluar.
Kina është ekonomia e madhe e fundit që po e praktikon politikën me masa të ashpra përmes izolimit, karantinimit dhe kufizimet ndaj udhëtimeve pavarësisht nga dëmi që po i shkaktohet ekonomisë.
Të martën, në Kinë u regjistruan 347 raste të reja me Covid-19, sipas Komisionit Kombëtar të Shëndetësisë.
Në Shangai është shtuar frika për masa më të ashpra izoluese. Ky qytet u mbajt dy muaj në izolim këtë vit.