Kimi i Koresë paralajmëron për sulm bërthamor, nëse vendi i tij provokohet me armë të tillë - NACIONALE

Kimi i Koresë paralajmëron për sulm bërthamor, nëse vendi i tij provokohet me armë të tillë

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, tha se Penjani nuk do të ngurrojë që të nisë një sulm bërthamor, nëse një armik e provokon me armë bërthamore, raportuan të enjten mediat shtetërore.

Kimi i bëri këto komente gjatë takimit me ushtarët që po punojnë për byronë e raketave ushtarake dhe i përgëzoi ata për lëshimin e ri të një rakete balistike ndërkontinentare, tha agjencia shtetërore e lajmeve, KCNA, përcjell agjencia “Reuters”.

Ai tha se ky testim i dëshmon besnikërinë dhe qëndrimin e fuqishëm të forcave të armatosura dhe është “shpjegim i qartë i modelit sulmues të kundërveprimit dhe i evoluimit të strategjisë dhe doktrinës bërthamore të RPDK-së [Republika Popullore Demokratike e Koresë – emri zyrtar i Koresë së Veriut] që të mos ngurrojë as për një sulm bërthamor, kur armiku e provokon atë me një armë bërthamore”, raportoi më tutje agjencia KCNA.

Koreja Veriore tha këtë javë se e kishte testuar të hënën raketën e saj më të re balistike ndërkontinentale për ta matur gatishmërinë luftarake të forcave bërthamore kundër armiqësisë në rritje nga ShBA-ja.

Kryediplomatët e Shteteve të Bashkuara, Koresë Jugore e Japonisë të mërkurën lëshuan një deklaratë të përbashkët me të cilën i dënuan lëshimet e reja të raketave balistike të Koresë Veriore dhe i bënë thirrje Penjanit që të angazhohet në “dialog përmbajtësor pa parakushte”.

Kimi tha se lëshimi i raketës të hënën i dëshmoi lëvizshmërinë e lartë dhe kapacitetin e shpejtë sulmues të ushtrisë dhe bëri thirrje për përpjekje që të fuqizohet edhe më tej efikasiteti luftarak i ushtrisë, raportoi agjencia KCNA.

Përmes një deklarate, motra e Kimit, Kim Yo Jong, e dënoi Këshillin e Sigurimit të OKB-së për mbajtjen e një takimi rreth lëshimit të ri të raketës balistike ndërkontinentale nga vendi i saj, duke thënë se ky veprim ishte ushtrim i së drejtës së Koresë Veriore për vetëmbrojtje.

Lajme të ngjashme