Katër rajone të Ukrainës planifikojnë referendum për bashkim me Rusinë - NACIONALE

Katër rajone të Ukrainës planifikojnë referendum për bashkim me Rusinë

1 vit më parë

nga Miranda Shala

Rajonet e kontrolluara nga Rusia të Ukrainës lindore dhe jugore kanë njoftuar të martën planet për të nisur votimet gjatë kësaj jave për t’u bërë pjesë integrale e Rusisë.

Associated Press shkruan se përpjekjet e bashkërenduara dhe të shpejta të mbështetura nga Kremlini për të marrë katër rajone mund të krijojnë skenën që Moska të përshkallëzojë luftën pas sukseseve të Ukrainës në fushën e betejës.

Planifikimi i referendumeve që nisin të premten në rajonet Luhansk, Kherson dhe rajonet pjesërisht të kontrolluara nga Rusia, Zaporizhzhia dhe Donetsk erdhi pasi një aleat i ngushtë i presidentit rus Vladimir Putin tha se votat janë të nevojshme, ndërsa Moska po humbet terren në pushtimin që filloi gati shtatë muaj më parë duke rritur kështu presionin ndaj Kremlinit për një përgjigje të ashpër.

Lidhur me këto votime, ish-presidenti Dmitry Medvedev, nënkryetar i Këshillit të Sigurimit të Rusisë i kryesuar nga Putin, tha se referendumet që bashkojnë rajonet në vetë Rusinë do t'i bënin kufijtë e rivizatuar "të pakthyeshëm" dhe do t'i mundësonin Moskës të përdorë "çdo mjet" për t'i mbrojtur ata.

Votat, në territorin që Rusia tashmë kontrollon, janë të sigurta se do të shkojnë në rrugën e Moskës, por nuk ka gjasa të njihen nga qeveritë perëndimore që po mbështesin Ukrainën.

Ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba i denoncoi votimet e planifikuara dhe shkroi në Tëitter se "Ukraina ka çdo të drejtë të çlirojë territoret e saj dhe do të vazhdojë t'i çlirojë ato, çfarëdo që Rusia të thotë".

Një dënim të shpejtë pati gjithashtu nga ndërkombëtarët, ku duke folur në Nju Jork, ku po merr pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, kancelari gjerman Olaf Scholz tha: "Është shumë, shumë e qartë se këto referendume të rreme nuk mund të pranohen".

Ndërsa, ministri i Jashtëm Letonez Edgars Rinkevics bëri thirrje për më shumë sanksione kundër Rusisë dhe më shumë armë për Ukrainën, duke postuar në Twitter: "Ne duhet t'i themi jo shantazhit rus".

Ndërkohë, në Donetsk, pjesë e rajonit më të gjerë të Donbasit të Ukrainës që është kapur nga luftimet rebele që nga viti 2014 dhe të cilin Putini e ka vendosur si objektiv kryesor të pushtimit, udhëheqësi separatist Denis Pushilin tha se votimi do të "rikthejë drejtësinë historike" në territor.

Presioni brenda Rusisë për vota dhe nga udhëheqësit e mbështetur nga Moska në rajonet e Ukrainës që kontrollon Moska u rrit pas një kundërofensivë ukrainase – e përforcuar nga armatimet e furnizuara nga Perëndimi – që ka rimarrë zona të mëdha.

Lajme të ngjashme