Duke i përdorur tanket e kapura ruse, Ukraina po i forcon vijat e veta
Ukraina tashmë po i përdor tanket e kapura ruse për t’i përforcuar fitoret në verilindje gjatë kundërsulmit, tha të martën një organizatë me seli në Uashington. Kievi është zotuar se do ta vazhdojë çlirimin e territoreve të pushtuara nga Moska.
Instituti për Studimin e Luftës, duke cituar një pretendim rus, tha se Ukraina ka filluar që t’i përdorë tanket ruse të tipit T-72, të lëna nga pushtuesit, kur po mundohet që të futet më thellë në rajonin e pushtuar nga rusët, Luhansk.
“Paniku fillestar për kundërsulmin ndikoi që trupat ruse t’i braktisnin pajisjet e cilësisë më të lartë në gjendje pune, e jo pajisjet më të dëmtuara që janë lënë nga forcat ruse duke u tërhequr nga Kievi në prill, duke dhënë më tutje shenjë për ashpërsinë e shpartallimit rus”, tha ky institut.
Këtë muaj, Ukraina nisi një kundërsulm për të hyrë në territoret përreth qytetit të dytë më të madh ukrainas, Kharkiv. Në video e fotografi shihen ushtarë ukrainas duke marrë nën kontroll tanke, municion e armë të lëna nga forcat ruse në atë që qartazi duket si tërheqje kaotike, raporton agjencia “Associated Press”.
Pas fillimit të kundërsulmit, zyrtarët ukrainas gjetën qindra varre afër qytetit që dikur ishte në duart e rusëve, Izium. Yevhenii Yenin, zëvendësministër i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Ukrainës, tha se zyrtarët që po i zhvarrosin të vdekurit atje, gjetën trupa “me shenja të vdekjes së dhunshme”.
“Ka shumë prej tyre. Këta janë brinjë të thyer dhe koka të thyera, burra me duar të lidhura, nofulla të thyera dhe organe gjenitale të prera”, tha ai.
Zyrtarët ukrainas pretendojnë se forcat ruse kanë torturuar njerëz në zonat e pushtuara, përfshirë sulmin me radio-telefona që datojnë nga periudha sovjetike. Rusia vazhdimisht i ka mohuar abuzimin ose vrasjen e të burgosurve, edhe pse zyrtarët ukrainas kanë gjetur varreza masive përreth qytetit Buça pas zmbrapsjes së ofensivës ruse për ta marrë kryeqytetin Kiev, në fillim të luftës.

Ndërkohë kundërsulmi ukrainas po vazhdon në pjesën jugore të vendit. Instituti për Studimin e Luftës, duke e cituar ushtrinë ukrainase, tha se Kievi ka shkatërruar depo municioni, dy pozicione komande dhe një sistem të pajisjeve elektronike të luftës.
Komanda jugore ushtarake e Ukrainës tha të martën në mëngjes se trupat e saj kanë fundosur një barkë ruse me ushtarë e armë matanë Lumit Dnipro, afër qytetit të pushtuar nga rusët, Nova Kakhovka./Nacionale

