Katër persona dënohen me vdekje e dy me burgim të përjetshëm për vrasjen e politikanit Chokri Belaid - NACIONALE

Katër persona dënohen me vdekje e dy me burgim të përjetshëm për vrasjen e politikanit Chokri Belaid

4 javë më parë

nga NACIONALE

Një gjykatë tuniziane të mërkurën dënoi katër persona me vdekje e dy të tjerë me burgim të përjetshëm nën akuzat për pjesëmarrje në vrasjen e figurës së njohur politike, Chokri Belaid, para 11 vjetëve, që ishte vrasja e parë politike në shtetin e Afrikës Veriore në disa dekada.

Belaidi, politikan majtist, kishte qenë kritik i ashpër i partisë islamiste Ennahda, duke pretenduar se ajo i kishte mbyllur sytë para dhunës së kryer nga ekstremistët kundër sekularistëve. Ai u qëllua për vdekje në veturën e tij nga disa persona të armatosur më 6 shkurt 2013, raporton agjencia “Reuters”.

Vrasja e Belaidit e kishte shokuar shtetin dhe kishte nxitur protesta masive e të dhunshme në një kohë tashmë të trazuar pak pas Pranverës Arabe të vitit 2011, kur kishin shpërthyer protestat fillimisht në Tunizi dhe pastaj në mbarë rajonin, duke rrëzuar disa autokratë me pushtet të gjatë.

Afër gjykatës së Tunisit, dhjetëra përkrahës të Belaidit u grumbulluan nga e marta në mbrëmje, duke ngritur pankarta në të cilat kërkohej drejtësi. Ata brohoritën “Chokri është gjithmonë i gjallë” dhe “ne jemi besnikë ndaj gjakut të martirëve”.

Disa muaj pas vrasjes së Belaidit, një majtist tjetër, Mohamed Brahmi, u qëllua gjithashtu për vdekje nga disa persona të armatosur, ndërsa protestat masive dhe presioni politik e kishte detyruar qeverinë e udhëhequr nga islamistët që të jepte dorëheqje.

Personat e përfshirë në vrasjen e Belaidit dhe Brahmit i përkisnin grupit xhihadist “Ansar al-Sharia”, organizatë e klasifikuar si “grup terrorist” nga qeveria në gusht të vitit 2013.

Familja e Belaidit dhe disa politikanë sekularistë i kishin akuzuar udhëheqësit e partisë Ennahda se qëndrojnë prapa vrasjes, kur ata ishin duke e udhëhequr qeverinë. Megjithatë, partia ka mohuar fuqishëm çfarëdo lidhjeje me këtë vrasje.

“Hollësitë e konkluduara nga qarqet gjyqësore qartazi shfaqin dëshmi të pafajësisë së Ennahda-s” – tha kjo parti të mërkurën përmes një deklarate.

Ajo shtoi se vendimi i gjykatës duhet ta rivendosë respektin ndaj atyre që janë prekur nga akuzat e rreme politike, sidomos ndaj udhëheqësit të partisë, Rached Ghannouchi.

Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli

Lajme të ngjashme