Katër astronautë, përfshirë të parin nga Turqia, arrijnë në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës
Ekuipazhi me katër burra, përfshirë astronautin e parë të Turqisë, arritën të shtunën herët në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës për qëndrim dyjavor si pjesë e një misioni të përgatitur tërësisht me shpenzime komerciale të kompanisë amerikane “Axiom Space”.
Udhëtimi përfundoi rreth 37 orë pas nisjes në Qendrën Hapësinore “Kennedy” të NASA-s në Florida të Shteteve të Bashkuara, raporton agjencia “Reuters”.
Sonda e ekuipazhit dhe raketa “Falcon 9”, që e dërgoi atë deri në orbitë, janë ofruar, nisur e operuar nga kompania e miliarderit Elon Musk, “SpaceX”, nën kontratë me kompaninë “Axiom”.
Porsa astronautët të arrijnë në stacionin hapësinor, ata bien nën përgjegjësinë e qendrës së NASA-s për kontrollimin e misioneve në Houston.
Sonda arriti në stacionin hapësinor në orën 5 e 42 minuta të mëngjesit, sipas zonës kohore lindore të ShBA-së, përderisa dy automjetet hapësinore po fluturonin rreth 400 kilometra mbi Oqeanin Paqësor, sipas transmetimit të drejtpërdrejtë nga NASA.
Ekipi shumëkombësh i astronautëve udhëhiqet nga Michael Lopez-Alegria, spanjoll, astronaut i dalë në pension i NASA-s. I dyti në komandë është italiani Walter Villadei. Bashkë me ta janë edhe suedezi Marcus Wandt dhe turku Alper Gezeravci.