Kaos në kabinetin britanik, dorëhiqen dy zyrtarë të lartë ndërsa kërkohet largimi i Boris Johnson - NACIONALE

Kaos në kabinetin britanik, dorëhiqen dy zyrtarë të lartë ndërsa kërkohet largimi i Boris Johnson

4 vjet më parë

nga Miranda Shala

Kancelari britanik Rishi Sunak dhe sekretari i Shëndetësisë Sajid Javid, kanë dhënë dorëheqje nga kabineti britanik, duke thënë se më nuk kanë besim se Boris Johnson mund të udhëheq vendin.

Sipas BBC-se, fillimisht, kancelari Rishi Sunak është shprehur se publiku ka pritur që qeveria të drejtohet "si duhet, me kompetencë dhe seriozitet", ndërsa më pas kësaj deklaratë i ka bërë jehonë sekretari i Shëndetësisë Sajid Javid, duke thënë se "qeveria nuk po vepronte në interesin kombëtar".

Këto dorëheqje të dy ministrave të lartë të kabinetit e kanë zhytur Johnson në një krizë të re lidershipi, vetëm disa javë pasi ai i mbijetoi një votimi mosbesimi.

Duke qenë se Johnson ka fituar 59% të votave, sipas rregullave të partisë, ai është i imunizuar nga një sfidë e udhëheqjes konservatore deri në qershor të vitit të ardhshëm, megjithatë dorëheqjet e fundit të zyrtarëve bënë që lideri laburist Sir Keir Starmer të bënte thirrje për një ndryshim të qeverisë.

Në një deklaratë Starmer u shpreh se, "pas gjithë ngërçit, gjithë dështimit, është e qartë se kjo qeveri konservatore tani po shembet".

Ndërkohë, reagime ka pasur edhe nga udhëheqësi i Liberal Demokratëve, Sir Ed Davey, i cili është shprehur se "qeveria e kaosit e kryeministrit ka dështuar vendin", duke bërë thirrje që ai të largohet.

Pra, a mund të jetë ky fillimi i fundit për Boris Johnson?

Gjatë ditës, disa nga kritikët e shquar të kryeministrit u bënë thirrje ministrave të qeverisë që të bëjnë presion ndaj kryeministrit për të dhënë dorëheqje.

Një kancelar, Rishi Sunak dhe një ish-kancelar, Sajid Javid, e bënë pikërisht këtë, pasi të dy e shohin dorëheqjen e tyre të nevojshme nëse duan që Johnson të largohet nga detyra. Po ashtu të dy këta liderë, në të ardhmen mund të pozicionohen në një garë lidershipi.

Megjithatë, Boris Johnson ka ende në krah, sekretaren e tij të jashtme, sekretarin e brendshëm, sekretarin e mbrojtjes dhe sekretarin e biznesit.

Por, gjithmonë ekziston mundësia që shembulli i Sunak dhe Javid, të ndiqet edhe nga zyrtarë të tjerë në role më të vogla.

E në këtë situatë, edhe pse zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme në vend pritet të mbahen në vitin 2024, Johnson mund të përdor fuqitë e tij për t'i mbajtur më herët.

Qeveria e Johnson muajt e fundit është përfshirë nga një sërë polemikash, duke bërë që disa deputetë konservatorë të bëjnë thirrje për dorëheqjen e kryeministrit. E pakënaqësia e tyre është rritur që nga publikimi i një raporti shumë kritik për festa gjatë bllokimit të Covid-19, në dhe pranë Downing Street.

Kujtojmë se, raporti shpalosi thyerje të rregullave të Covid në numrin 10, përfshirë një festë ditëlindjeje për të cilën kryeministri u gjobit nga policia, duke u kryeministri i parë në detyrë i Mbretërisë së Bashkuar që është gjobitur për shkelje të ligjit.

Përveç kësaj, mospajtime brenda kabinetit ka pasur edhe për rritjen e taksave, reagimin e qeverisë ndaj rritjes së kostove të jetesës dhe drejtimin e politikave të saj.

Lajme të ngjashme