Kanadaja thotë se ka dëshmi të besueshme që India qëndron prapa vrasjes së një shtetasi kanadez - NACIONALE

Kanadaja thotë se ka dëshmi të besueshme që India qëndron prapa vrasjes së një shtetasi kanadez

1 javë më parë

nga NACIONALE

Kryeministri i Kanadasë, Justin Trudeau, ka thënë se ka “dëshmi të besueshme” se India është përgjegjëse për vrasjen e pretenduar të Hardeep Singh Nijjar, udhëheqës i njohur kanadez i komunitetit Sikh. India e ka mohuar këtë akuzë, duke e cilësuar “absurde”.

Trudeau tha para deputetëve kanadezë të hënën se, javëve të fundit, autoritetet e sigurisë kombëtare kishin qenë duke i hetuar pretendimet se India qëndron prapa një vrasjeje të sponzorizuar nga shteti, raporton gazeta “The Guardian”.

“Çfarëdo përfshirjeje e një qeverie të huaj në vrasjen e një qytetari kanadez në tokën kanadeze është shkelje e papranueshme e sovranitetit tonë. Kanadaja është vend i sundimit të ligjit, mbrojtja e qytetarëve tanë në mbrojtje të sovranitetit tonë është thelbësore”- tha kryeministri kanadez.

Kryediplomatja e Kanadasë, Melanie Joly, tha se vendi i saj ka dëbuar një diplomat kyç indian dhe pret që India të bashkëpunojë plotësisht me autoritetet kanadeze që t’i shkohet deri në fund kësaj çështjeje.

Në anën tjetër, Ministria e Punëve të Jashtme e Indisë tha në një deklaratë se i “refuzon” deklaratat e kryeministrit dhe ministres kanadeze, duke shtuar se pretendimet për përfshirjen e Indisë në çfarëdo akti dhune në Kanada janë “absurde dhe të motivuara”.

“Ne jemi shtet demokratik me përkushtim të fuqishëm ndaj sundimit të ligjit”- thuhet në deklaratën e ministrisë indiane, ku shtohet se një diplomat i lartë kanadez do të dëbohet si kundërpërgjigje ndaj pretendimeve të Trudeau-s.

Deklarata e kryeministrit kanadez pritet që t’i tensionojë edhe më shumë marrëdhëniet mes dy shteteve.

Kryetari i Partisë së Re Demorkatike, Jagmeet Singh, që i përket komunitetit Sikh, tha se duhet të ketë pasoja për këtë vrasje.

Lajme të ngjashme