Jean Carroll merr 5,6 milionë dollarë dëmshpërblim nga Trumpi për rastin e abuzimit seksual - NACIONALE

Jean Carroll merr 5,6 milionë dollarë dëmshpërblim nga Trumpi për rastin e abuzimit seksual

1 orë më parë

nga NACIONALE

Shkrimtarja E. Jean Carroll ka marrë gati 5,63 milionë dollarë nga presidenti amerikan, Donald Trump, pasi një trup gjykues e shpalli Trumpin përgjegjës për abuzimin seksual dhe diskreditimin e saj, sipas të dhënave të gjykatës.

Paratë të hënën iu transferuan firmës ligjore të Carrollit, pesë ditë pasi gjykatësi i qarkut, Lewis Kaplan, e autorizoi transferin nga një xhirollogari e mbikëqyrur nga gjykata, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Kjo pagesë e përfshin shumën fillestare prej 5 milionë dollarësh, plus interesi.

Kjo është hera e parë që Trumpi detyrohet t’i paguajë dëmshpërblim Carrollit. Ajo ka fituar 88,3 milionë dollarë nga vendimet e gjykatave kundër presidentit në shtatë vitet që nga hera e parë kur ai kishte mohuar se e kishte përdhunuar shkrimtaren rreth vitit 1996 në një zhveshtore të një qendreje tregtare në Manhattan.

Trumpi i ka mohuar akuzat dhe ka mohuar se e njeh Carrollin, duke thënë se ajo e ka shpikur rrëfimin për përdhunim për ta ndihmuar në shitjen e librit të kujtimeve. Muajin e kaluar, megjithatë, Gjykata Supreme e ShBA-së e hodhi poshtë apelin e Trumpit për rastin e 5-milionëshit.

Një zëdhënës i ekipit ligjor të Trumpit të martën përsëriti një deklaratë të bërë pas vendimit të gjykatësit Kaplan: “Populli amerikan qëndron me presidentin Trump, përderisa kërkon përfundim të menjëhershëm të të gjitha gjuetive të shtrigave, përfshirë parodinë e shpifjeve të Carrollit, të financuara nga demokratët.”

Javën e kaluar, avokati i Trumpit kërkoi nga një gjykatë federale e apelit që ta bllokonte transferimin e mjeteve, duke thënë se presidenti do të pësonte “dëm të pariparueshëm”, nëse Carrolli e përmbush qëllimin e saj të deklaruar për t’i dhuruar paratë, sepse me gjasë të hollat nuk do të mund të riktheheshin në rast të ndonjë vendimi tjetër.

Trupi gjykues vendosi për dëmshpërblimin prej 5 milionë dollarësh bazuar në një mohim nga Trumpi më 2022, edhe pse gjykatësit nuk kishin arritur në përfundimin se ai e kishte përdhunuar Carrollin./Nacionale

Lajme të ngjashme