Javën e kaluar u liruan shumë mallra në tregun global, përmenden disa faktorë - NACIONALE

Javën e kaluar u liruan shumë mallra në tregun global, përmenden disa faktorë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Perceptimi i rrezikut dhe shqetësimet për aktivitetin global ekonomik gjatë javës së kaluar kanë çuar në ulje të dukshme të çmimeve në tregun e mallrave.

Presioni i shitjes javën e kaluar sinjalizoi rritje të shqetësimit për kërkesën, raporton agjencia “Anadolu”.

Kriza e vazhdueshme për kufirin e borxhit publik në ShBA, shqetësimi për recesionin, paqartësitë rreth politikave monetare të Rezervës Federale të ShBA-së dhe kërkesa në rritje për dollarin amerikan ishin në mesin e faktorëve prapa presionit të shitjes në tregun e mallrave javën e kaluar.

Ka mbetur më pak se një muaj që Kongresi i Shteteve të Bashkuara ta adresojë kufirin prej 31,4 trilionë dollarësh për borxhin publik në mënyrë që të shmanget situata e dështimit për të marrë më shumë hua.

“Do të kishte pasoja shumë serioze, jo vetëm për ShBA-në, por edhe për ekonominë globale, nëse ka dështim për pagimin e borxhit publik në ShBA”- tha javën e kaluar Julie Kozack, drejtoreshë e komunikimeve në Fondin Monetar Ndërkombëtar.

Inflacioni vjetor i konsumit në ShBA ra në 4,9 për qind në prill, nga 5 për qind në mars, sipas të dhënave zyrtare të publikuara javën e kaluar.

Çmimi i arit ra për 0,3 për qind, i argjendit 6,6 për qind, ndërsa çmimi i platinit ra për 6,6 për qind.

Çmimi i bakrit ra për 3,1 për qind, i plumbit 1 për qind, i aluminit 11,8 për qind, i nikelit 9,6 për qind dhe i zinkut për 3,2 për qind.

Çmimi i naftës së papërpunuar në bursën “Brent” ra për 1,6 për qind, ndërsa gazi u shtrenjtua në bursën e Nju Jorkut për 6 për qind.

Çmimi i grurit në bursën e Çikagos ra për 3,8 për qind, misri u lirua për 2,2 për qind, ndërsa orizi u shtrenjtua për 1,1 për qind.

Çmimi i pambukut ra për 4,2 për qind, i kafesë për 2,9 për qind dhe i sheqerit për 0,5 për qind.

Lajme të ngjashme