Vazhdon rënia e çmimeve të karburanteve në tregun ndërkombëtar
Çmimet e karburanteve në bursat ndërkombëtare shënuan rënie të martën, përderisa tregtarët po i presin udhëzimet nga të dhënat për inflacionin në ShBA, të cilat pritet të publikohen më vonë këtë javë, si dhe për shkak të vlerës së fuqishme të dollarët, e cila i ka dekurajuar blerësit.
Çmimi i një fuçie naftë të papërpunuar në bursën ndërkombëtare “Brent” ishte 76,56 dollarë në orën 10 e 9 minuta sipas kohës lokale, 0,58 për qind më pak se çmimi në kohën e mbylljes së periudhës së mëparshme të shitjes, raporton agjencia “Anadolu”.
Çmimi i një fuçie naftë të papërpunuar në bursën amerikane “West Texas Intermediate” (WTI) ishte në të njëjtën kohë 72,78 dollarë, 0,52 për qind më pak se në kohën e mbylljes së periudhës së mëparshme të shitjes.
Çmimet e karburanteve e shënuan rënien më të madhe gjatë tetë javëve të kaluara, duke rënë për 7 për qind javën e kaluar nga frika për kërkesë të dobët pas vendimit të ShBA-së për rritjen e shkallës së interesit për herë të dhjetë për pak më shumë se një vit dhe pas shenjave për një krizë tjetër të bankave në ShBA.
Edhe pse përshtypja për tregun u përmirësua nga të dhënat më të mira se që priteshin për punësimin në ShBA, të dhënat që pritet të publikohen për inflacionin i detyruan investitorët që ta marrin qëndrimin “prit dhe shiko”, përderisa indeksi i dollarit tashmë është i lartë.
Indeksi i dollarit amerikan, me të cilin matet vlera e kësaj valute në krahasim me disa valuta të tjera, përfshirë jenin japonez, funtin britanik, dollarin kanadez, kronën suedeze dhe frangun zviceran, shënoi rritje për 0,07 për qind të martën herët.
Nëse vlera e dollarit rritet, nafta e përpunuar që shitet në dollarë bëhet më e shtrenjtë për blerësit që përdorin valuta të tjera.
