Izraeli zotohet për ta sulmuar Iranin, edhe nëse sulmi i Teheranit nuk shkakton viktima
Izraeli ditëve të fundit u ka përçuar porosi Shteteve të Bashkuara dhe disa shteteve evropiane se çfarëdo sulmi i drejtpërdrejtë nga Irani do të marrë si përgjigje një sulm izraelit në territorin iranian, sipas Radios së Ushtrisë.
Në raportin pa burime thuhet se Izraeli ka bërë të qartë se është i vendosur për ta sulmuar Iranin, edhe nëse një sulm potencial i Teheranit nuk shkakton viktima në Izrael, raporton gazeta “The Times of Israel”.
Thuhet se qëllimi i kësaj porosie është parandalimi i presionit nga komuniteti ndërkombëtar për ta shmangur kundërpërgjigjen me forcë ndaj një sulmi iranian.
Sidoqoftë, zyrtarë amerikanë besojnë se Izraeli nuk pret që Irani të kundërpërgjigjet drejtpërdrejt për vrasjen e kreut të byrosë politike të Hamasit, Ismail Haniyeh, në Teheran, sipas një kolumne nga David Ignatius në gazetën “The Washington Post”.
Izraeli gjithashtu nuk priste që vrasja e zyrtarëve të lartë të Rojave Revolucionare të Iranit në Siri në prill do ta merrte si kundërpërgjigje sulmin e madh me dronë e raketa nga Irani, thuhet në kolumne.
Në anën tjetër, Irani i ka kundërshtuar thirrjet evropiane për përmbajtje në kohën e tensioneve në Lindje të Mesme.
Ministria e Jashtme e Iranit ka thënë se thirrjet për përmbajtje në lidhje me Izraelin nga Franca, Gjermania dhe Britania e Madhe “kanë mungesë të logjikës politike dhe bien ndesh me parimet e së drejtës ndërkombëtare”.