Izraeli vret të paktën 40 njerëz në Gaza, tanket e thellojnë bastisjen në veri
Së paku 40 palestinezë u vranë përmes sulmeve ushtarake izraelite në pjesë të ndryshme të Rripit të Gazës, përderisa forcat izraelite e ashpërsuan shtrëngimin përreth Jabalias në veri të enklavës të martën, mes betejave të ashpra me luftëtarët e udhëhequr nga Hamasi.
Zyrtarët shëndetësorë palestinezë thanë se të paktën 11 persona u vranë nga zjarri izraelit afërAl-Falouja-s në Jabalia, kampi më i madh nga tetë kampet historike të refugjatëve në Gaza, ndërsa dhjetë të tjerë u vranë në Bani Suhaila, në qytetin jugor, Khan Younis, kur një raketë izraelite goditi një shtëpi, raporton agjencia “Reuters”.
Më herët të martën, një sulm ajror izraelit shkatërroi tri shtëpi në periferinë Sabra të Qytetit Gaza, ndërsa shërbimi emergjent lokal tha se nxori dy trupa nga vendi i ngjarjes. Kërkimi po vazhdonte për 12 persona të tjerë që besohej se ndodhëshin në shtëpi në kohën e sulmit.
Pesë njerëz të tjerë u vranë, kur një shtëpi u godit në kampin Nuseirat, në pjesën qendrore të Gazës.
Jabalia ka qenë në fokus të një ofensive izraelite për më shumë se dhjetë ditë. Trupat janë rikthyer në zonat veriore që ishin bombarduar rëndë në muajt e parë të luftës 1-vjeçare.
Operacioni ka shkaktuar shqetësime te palestinezët dhe agjencitë e OKB-së se Izraeli dëshiron që t’i largojë banorët nga veriu i enklavës me popullsi të dendur. Sidoqoftë, Izraeli e ka mohuar akuzën.
Zyra për të drejta të njeriut e Kombeve të Bashkuara tha të martën se ushtria izraelite duket se “po e shkëput tërësisht Gazën veriore nga pjesa tjetër e Rripit të Gazës”.
Ushtria izraelite tashmë e ka rrethuar kampin Jabalia dhe ka dërguar tanke në qytezat e afërta, Beit Lahiya dhe Beit Hanoun, ndërsa qëllimi i deklaruar është shtypja e luftëtarëve të Hamasit që po mundohen të rigrupohen atje.
Forcat izraelite u kanë thënë banorëve që të largohen nga shtëpitë e tyre dhe të shkojnë në vende më të sigurta në jug të Gazës. Megjithatë, zyrtarë palestinezë e të OKB-së thonë se nuk ka asnjë vend të sigurt në enklavë./Nacionale