Izraeli thotë se ka filluar sulme të “shkallës së lartë” në periferinë e Bejrutit
Izraeli tha të mërkurën mbrëma se kishte nisur një “valë sulmesh të shkallës së lartë” ndaj pjesëve periferike të Bejrutit, pasi Hezbollahu hodhi ato që ushtria izraelite i përshkroi si “mbi 100 raketa” në drejtim të Izraelit.
Ushtria izraelite tha se në shënjestër të sulmeve ishte infrastruktura e Hezbollahut në Dahieh, në jug të Bejrutit, zonë të cilën Izraeli e konsideron si bastion të Hezbollahut, grup militant i mbështetur nga Irani, raporton televizioni CNN.
Zëdhënësi i ushtrisë izraelite në gjuhën arabe, Avichay Adraee, lëshoi një “paralajmërim urgjent dhe serioz” për banorët e pjesëve periferike jugore të Bejrutit para këtyre sulmeve, duke u bërë thirrje banorëve që të evakuoheshin menjëherë para atij që e përshkroi si operacion të madh kundër Hezbollahut.
Pak pasi ushtria izraelite e lëshoi deklaratën, një kamerë e agjencisë “Reuters” që po e incizonte hapësirën qiellore mbi Bejrut kapi një shpërthim në jug të qytetit. Pak më vonë, e njëjta kamerë kapi disa sulme brenda pak sekondave dhe pamje mbi Bejrut shpejt u mbush me tym të zi.
Ekipet e televizionit CNN në Bejrut dëgjuan dhe ndien një shpërthim që e drodhi tokën pak pas fillimit të valës së sulmeve, duke raportuar se ai ishte dukshëm më i fortë se cilido shpërthim i dëgjuar në ditët e fundit të sulmeve.
Ushtria izraelite tha se këto sulme vijnë pas “vendimit të qëllimshëm [të Hezbollahut] për ta sulmuar Izraelin në emër të regjimit iranian”.
Në një deklaratë, Hezbollahu tha se luftëtarët e tij hodhën “dhjetëra raketa” drejt qytezave izraelite afër kufirit, duke e përshkruar sulmin si hakmarrje për sulmet izraelite në jug të Bejrutit./Nacionale