Izraeli shton zyrtarisht edhe një qëllim të luftës - NACIONALE

Izraeli shton zyrtarisht edhe një qëllim të luftës

2 vjet më parë

nga Nasuf Abdyli

Izraeli do t’i zgjerojë qëllimet e tij të luftës për ta përfshirë rikthimin e banorëve në pjesën veriore të vendit, që ishin evakuuar për shkak të sulmeve nga grupi i përkrahur nga Irani, Hezbollah, me bazë në Liban, sipas kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu.

Vendimi u miratua gjatë një takimi të kabinetit të sigurisë natën e kaluar, tha zyra e Netanyahut. Forcat izraelite kanë shkëmbyer sulme pothuajse të përditshme me Hezbollahun që nga fillimi i luftës në Gaza në tetorin e vitit të kaluar, raporton gazeta “The Guardian”.

Dhjetëra mijëra izraelitë janë evakuuar nga qytezat përgjatë kufirit verior që janë dëmtuar rëndë nga sulmet me raketa dhe ata ende nuk janë kthyer në shtëpitë e tyre.

Më herët të hënën, ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Yoav Gallant, tha se “mundësia për një marrëveshje po shterohet, përderisa Hezbollahu vazhdon që “ta lidhë veten” me Hamasin dhe refuzon që t’i japë fund konfliktit. Prandaj, mënyra e vetme që ka mbetur për ta siguruar kthimin e komuniteteve veriore të Izraelit në shtëpitë e tyre do të jetë përmes veprimit ushtarak.”

Zyrtarë të Hezbollahut kanë thënë në të kaluarën se ky grup do t’i ulë armët, nëse arrihet një marrëveshje armëpushimi në Gaza, ndërsa Izraeli këmbëngul që nuk mund t’i lejojë militantët që të mbeten në zonën kufitare në jug të Libanit.

Nga dhuna janë vrarë qindra njerëz – kryesisht luftëtarë – në Liban dhe dhjetëra civilë e ushtarë në Izral. Luftimet gjithashtu kanë detyruar dhjetëra mijëra njerëz në të dyja anët e kufirit që të largohen nga shtëpitë e tyre.

Gallanti u takua të hënën me emisarin amerikan, Amos Hochstein, për të diskutuar rreth operacioneve ushtarake kundër Hezbollahut dhe për hallin e izraelitëve të zhvendosur për shkak të sulmeve matanë kufirit, thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Mbrojtjes. Më herët të hënën, ministri izraelit bisedoi me homologun amerikan, Lloyd Austin, dhe tha se koha po mbaronte për arritjen e një marrëveshjeje me të cilën do t’i jepej fund konfliktit.

Edhe pse janë zhvilluar disa runde bisedimesh të ndërmjetësuara nga Shtetet e Bashkuara, Katari e Egjipti, me të cilat është synuar arritja e armëpushimit në Gaza, nuk ka pasur shenja për sukses në përpjekjet diplomatike për ndërprerjen e luftimeve mes Hezbollahut e Izraelit.

Sekretari i Shtetit i ShBA-së, Antony Blinken, do të udhëtojë të martën për në Egjipt për vizitën e tij të dhjetë në Lindje të Mesme që nga fillimi i luftës para gati një viti. Kryediplomati amerikan nuk ka plane publike për të shkuar në Izrael që të takohet me kryeministrin Netanyahu./Nacionale

Lajme të ngjashme